Lista Studentore, e formuar nga grupi qytetar "Studentët Fitojnë Sërish" njoftoi sot në një konferencë për shtyp në Beograd se kandidati i tyre për zgjedhjet e ardhshme presidenciale është akademiku Radomir Saiçiq.
Saiçiq tha se ndihet krenar që studentët i dhanë besimin për të kandiduar për president të Serbisë.
"Hyra në lëvizje me bindjen se ndryshimi i qeverisë ka kuptim vetëm nëse ndryshon sistemi i vlerave, gjë që përfshin edhe marrëdhënien e qeverisë me qytetarët. Kjo është arsyeja pse do të angazhohem për një Serbi sovrane, në të cilën do të respektohet Kushtetuta dhe ku çdo qytetar do të mund të jetojë me dinjitet", tha Saiçiq.
Ai theksoi rëndësinë e respektit të ndërsjellë, të kuptuarit e pikëpamjeve të ndryshme dhe arritjen e marrëveshjes për çështje që, pavarësisht dallimeve, janë të rëndësishme për të gjithë qytetarët.
Saiçiq deklaroi se do të angazhohet për një Serbi që ka forcën të vendosë në mënyrë të pavarur për të ardhmen e saj – një Serbi, zëri i së cilës do të dëgjohet dhe do të respektohet në skenën globale. Ai theksoi se një pozicion i tillë ndërtohet duke respektuar Kushtetutën brenda vendit.
"Si president, do t'u përmbahem kompetencave të mia, do t'i shpjegoj publikisht vendimet e mia dhe do të kërkoj të njëjtën përgjegjësi nga bartësit e tjerë të pushtetit", tha Saiçiq.
Ai vuri në dukje se besimi i jep forcë morale dhe detyrimin për ta mbajtur fjalën, se shkenca e mëson të bëjë pyetje e të kërkojë prova dhe se jeta e ka mësuar të marrë përsipër përgjegjësinë pikërisht atëherë kur është më e vështirë.
"Jam gati ta marr përsipër atë përgjegjësi edhe tani", deklaroi Saiçiq.
Të enjten, kryetari i Kuvendit Kombëtar të Serbisë, Aleksandar Çupiq nënshkroi vendimin për shpalljen e zgjedhjeve presidenciale, të cilat do të mbahen më 27 dhjetor. Zgjedhjet presidenciale duhet të shpallen jo më herët se 60 ditë dhe jo më vonë se 30 ditë para mbajtjes së tyre.
Ish-presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, e shkurtoi mandatin e tij dhe dha dorëheqjen më 27 shtator, me qëllim që të merrte pjesë në zgjedhjet parlamentare.
Radomir Saiçiq është anëtar i rregullt i Akademisë Serbe të Shkencave dhe Arteve (SANU) dhe profesor i rregullt në Fakultetin e Kimisë të Universitetit të Beogradit. Ai i ka përfunduar studimet bachelor, master dhe të doktoratës në Fakultetin e Kimisë.
Fusha e tij e punës shkencore është sinteza organike. Ai i ka publikuar gjetjet e kërkimeve të tij në mbi 80 punime shkencore në revista ndërkombëtare. Ka marrë çmime të shumta për kontributin e tij në zhvillimin e kimisë. Gjithashtu, ai është angazhuar në mënyrë aktive në çështje të ndryshme me rëndësi për komunitetin akademik dhe shoqërinë.
Ai u bë anëtar korrespondent i Akademisë Serbe të Shkencave dhe Arteve (SANU) në vitin 2012 ndërsa anëtar i rregullt në vitin 2018. Ai është anëtar i Komitetit të Akademisë për Arsim, Komitetit të Akademisë për Bashkëpunim Ndërkombëtar, Komitetit të Akademisë për Materiale dhe Komitetit të Akademisë për Çështjen Serbe.
Ai ishte i 91-ti në listën e studentëve për zgjedhjet parlamentare të 25 tetorit dhe u bë deputet në përbërjen e re të Kuvendit.
Saiçiq është anëtar i Komisionit parlamentar për Arsim, Shkencë, Zhvillim Teknologjik dhe Shoqëri të Informacionit si dhe anëtar zëvendësues në komisionet për Mbrojtje dhe Punë të Brendshme si dhe për Kosovën.















