| Albanian
TÜRKİYE
2 minuta leximi
Shpërthim në një fabrikë çeliku në Izmir, raportohen 16 të vdekur dhe 13 të plagosur
Presidenti Recep Tayyip Erdoğan njoftoi nisjen e hetimeve gjyqësore dhe administrative për shpërthimin në një fabrikë në distriktin Aliağa të Izmirit.
Shpërthim në një fabrikë çeliku në Izmir, raportohen 16 të vdekur dhe 13 të plagosur
Shpërthim në një fabrikë çeliku në Izmir, raportohen 16 të vdekur dhe 13 të plagosur / َAA
 

Të paktën 16 persona humbën jetën dhe 13 të tjerë u plagosën, dy prej tyre rëndë, nga një shpërthim në një fabrikë çeliku në perëndim të Türkiyes të hënën, njoftoi presidenti turk.

Duke folur pas mbledhjes së kabinetit qeveritar në Kompleksin Presidencial në Ankara, presidenti Recep Tayyip Erdoğan deklaroi se kanë nisur hetimet gjyqësore dhe administrative për ta përcaktuar shkakun e shpërthimit në distriktin Aliağa të Izmirit dhe për të identifikuar personat përgjegjës.

“Kanë nisur hetimet për shpërthimin, si në aspektin gjyqësor, ashtu edhe në atë administrativ. Do të përcaktohen shkaqet dhe rrethanat e kësaj ngjarjeje tragjike, që ka pikëlluar thellësisht kombin tonë, si dhe çdo neglizhencë e mundshme dhe personat përgjegjës”, tha Erdoğan.

Guvernatori i Izmirit, Süleyman Elban, deklaroi se shpërthimi ndodhi rreth orës 11:46 sipas kohës lokale (08:46 GMT), në fabrikën e hekurit dhe çelikut HABAŞ, gjatë punimeve për zëvendësimin e një furre.

Sipas Elbanit, një vinç i montuar në tavan u shemb, duke shkaktuar rënien e materialeve në një furrë me hark elektrik. Materialet dëmtuan një tubacion të gazit natyror, duke e shkaktuar shpërthimin.

Guvernatori fillimisht raportoi 10 të vdekur dhe 15 të plagosur, përfshirë katër punëtorë në gjendje të rëndë.

Ai tha se operacionet e kërkim-shpëtimit po vazhdonin, ndërsa besohej se katër persona kishin mbetur të bllokuar nën rrënoja.

Sipas Elbanit, rreth 200 punëtorë ndodheshin në fabrikë gjatë punimeve të mirëmbajtjes, krahasuar me më shumë se 300 punëtorë gjatë ndërrimeve të zakonshme të prodhimit.

Ai shtoi se deri në atë moment nuk ishte kryer asnjë arrestim dhe se hetimet gjyqësore dhe administrative ishin në vazhdim.

Ministri i Punës dhe i Sigurimeve Shoqërore, Vedat Işıkhan, dhe ministri i Energjisë dhe i Burimeve Natyrore, Alparslan Bayraktar, ishin nisur drejt rajonit, ndërsa edhe ministri i Shëndetësisë, Kemal Memişoğlu, pritej ta vizitonte Izmirin.

BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë