Türkiye të enjten kritikoi Administratën Greko-Qipriote për deklaratat e saj mbi ishullin, të bëra në fjalimet me rastin e marrjes së Presidencës gjashtëmujore të BE-së nga kjo administratë.
Termat “pushtim”, “invazion” dhe “ndarje” të përdorur në fjalimet e së mërkurës “nuk përputhen në asnjë mënyrë me realitetet historike apo aktuale në Ishull”, tha një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme të Türkiyes.
“I vetmi ‘pushtim’ në Ishull buron nga uzurpimi nga pala greko-qipriote i institucioneve të shtetit partner në vitin 1963, përmes një shkeljeje të hapur të Kushtetutës dhe të të drejtave të patjetërsueshme të popullit qipriot turk”, tha Oncu Keceli.
Në deklaratë u kritikuan gjithashtu veprimet e zyrtarëve të BE-së, “të cilat edhe një herë shpërfillën ekzistencën e qipriotëve turq”, duke shtuar se kjo tregon qëndrimin e njëanshëm të BE-së ndaj vlerave themelore njerëzore që ajo pretendon se mbron.
“Për më tepër, keqpërdorimi nga pala greko-qipriote i Presidencës së BE-së që në fillim, në kundërshtim me angazhimet e bëra publikisht, për ta promovuar narrativën e saj të shtrembëruar dhe qëndrimet e saj të papajtueshme për çështjen e Qipros, tregon qartë pse BE-ja nuk mund të jetë një aktor neutral dhe konstruktiv në përpjekjet për zgjidhjen e çështjes së Qipros”, thuhet në deklaratë.



























