Kryeministri Edi Rama reagoi sot pas sulmeve me raketa ndaj vendeve të Gjirit Persik, duke i konsideruar ato një goditje ndaj stabilitetit dhe prosperitetit të rajonit.
Rama vlerësoi reagimet e Arabisë Saudite dhe Katarit ndaj sulmeve iraniane, ndërsa u shpreh se këto dy vende treguan edhe një herë se si duket lidershipi i përgjegjshëm përballë agresionit të pamatur.
“Arabia Saudite dhe Katari, dy xhevahire të shkëlqyera në kurorën e shndritshme të një Lindjeje të Mesme të re të përcaktuar nga shpresa, zhvillimi marramendës dhe bashkëpunimi i guximshëm rajonal, kanë treguar edhe një herë se si duket lidershipi i përgjegjshëm përballë agresionit të pamatur. Raketat u interceptuan, kërcënimi u neutralizua dhe mesazhi i qartë: ata që rrezikojnë me kaosin do të përballen me forcë dhe precizion”, shtoi Rama.
Kryeministri theksoi se kur infrastruktura kritike dhe zonat civile janë në shënjestër, ky nuk është kurrë një “incident lokal”.
“Është një sulm ndaj vetë stabilitetit, ndaj prosperitetit, ndaj vizionit të përbashkët të një Gjiri që ka zgjedhur progresin mbi provokimin dhe partneritetin mbi paranojën”, tha Rama.
Rama theksoi se aftësia e tyre për të rrëzuar raketat pasqyron jo vetëm aftësi të përparuara mbrojtëse dhe koordinim të përsosur, por edhe qartësi strategjike dhe vendosmëri të palëkundur.
Megjithatë, përtej teknologjisë dhe taktikave, Kryeministri theksoi se “fuqia e vërtetë qëndron në unitet: në vendet e Gjirit që qëndrojnë krah për krah kundër atyre që ngatërrojnë përçarjen me ndikimin”.
Rama shprehu po ashtu solidaritetin e plotë dhe të palëkundur edhe me Kuvajtin dhe Bahreinin.
“Në Gjirin Persik, siguria është e pandashme. Siguria e njërit është forca e të gjithëve”, tha Rama.





















