Opozita e Shqipërisë vazhdon protestat antiqeveritare, ndërkohë që sot është mbajtur protesta e radhës kombëtare, e cila është shoqërua sërish me tensione dhe përplasje, si dhe me hedhje të molotovëve nga protestuesit dhe gazit lotsjellës nga policia.
Protesta e organizuar nga Partia Demokratike, me mbështetje edhe të partive të tjera opozitare nisi para selisë së Kryeministrisë së Shqipërisë me kërkesën për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.
Opozita kërkon edhe miratimin e kërkesës së Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) mbi dhënin e autorizimit "për arrestimin/heqjen e lirisë" ndaj zëvendëskryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, e cila është e pezulluar nga gjykata.
Rama ka propozuar shkarkimin e Ballukut, shkarkim që pritet të zyrtarizohet në ditët në vazhdim.
Pjesë e protestës, e cila nuk u shoqërua me fjalime, ishte edhe kryetari i Partisë Demokratike dhe ish-kryeministri Sali Berisha dhe deputetë të opozitës.
Në një deklaratë për mediat gjatë protestës, Berisha tha se "kryengritja paqësore e opozitës sot ka formën e një marshimi revoltë proteste në rrugët e Tiranës".
Ndërkohë, pas qëndrimit para selisë së Kryeministrisë protestuesit marshuan drejt selisë së Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shqipërisë, ku u shënuan përplasje mes protestuesve dhe forcave të policisë pranë saj.
Gjatë përplasjeve policia u kundërpërgjigj me gaz lotsjellës dhe ujë, duke shpërndarë protestuesit, ndërkohë protestuesit shkaktuan zjarr me molotovë duke djegur kosha të mbeturinave në rrugët e Tiranës.
Protestuesit vazhduan marshimin në rrugët e kryeqytetit dhe para selisë së sallës së seancave plenare të Kuvendit të Shqipërisë, të cilët nuk ndaluan dhe nuk u shënuan tensione para Kuvendit si në protestat e kaluara.
Ndërkohë, protestuesit vazhduan marshimin e tyre në drejtim të selisë së Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, ku nuk ndaluan.
Një tjetër ndalesë e protestuesve ishte edhe vila e ish-diktatorit të Shqipërisë, Enver Hoxha, ndaj së cilës u hodhën molotovë dhe fishekzjarrë, ku u shkaktua edhe zjarr.
Në muajt e fundit, në Shqipëri janë organizuar protesta antiqeveritare, ndërkohë partitë opozitare kanë paralajmëruar vazhdimin e protestave.




















