Presidenti i ShBA-së, Donald Trump, u përgjigj me rezervë të premten kur u pyet sa afër është vendimit për të autorizuar sulme ndaj Iranit.
“Do të preferoja të mos ta thosha,” i tha Trump gazetarëve në Texas, ku po përgatitej për fjalime publike mbi energjinë. “Do të kishit pasur lajmin më të madh në histori, apo jo?”
Kur u pyet se cili është mesazhi i tij për Liderin Suprem të Iranit, Ayatollah Ali Khamenei, Trump tha se “ata duhet të bëjnë një marrëveshje, por nuk duan ta bëjnë plotësisht.”
“Shikoni, ne po luajmë me ta për 47 vjet, dhe kjo është shumë kohë, apo jo? Dhe kaq shumë kohë duke sulmuar njerëzit tanë, duke i plagosur seriozisht, duke goditur anijet tona një nga një, dhe çdo muaj ka diçka tjetër. Nuk mund ta përballojmë më,” tha ai.
Presidenti tha më parë se të premten priteshin bisedime shtesë me Iranin, por detajet shtesë, përfshirë nëse ato përfunduan, nuk ishin menjëherë të disponueshme.
“Nuk jam i kënaqur që ata nuk janë të gatshëm të na japin atë që duhet të kemi. Nuk jam i lumtur për këtë. Do të shohim se çfarë ndodh. Do të bisedojmë më vonë. Sot do të kemi disa bisedime shtesë,” u shpreh Trump përpara se të largohej për në shtetin jugor.
Deklaratat e tij erdhën një ditë pas përfundimit të raundit të tretë të negociatave indirekte midis delegacioneve të ShBA-së dhe Iranit në Gjenevë.
Trump tha se nuk është i kënaqur me mënyrën se si Irani po negocion.
“Do të ishte e mrekullueshme sikur të negocionin me mirëbesim dhe ndërgjegje të pastër, por ata nuk po e bëjnë këtë. Deri tani, nuk po arrijnë aty,” shtoi ai.
Ministri i Jashtëm i Omanit, Badr Albusaidi, që shërbeu si ndërmjetës, tha se u takua të premten në Uashington me Zëvendës Presidentin JD Vance.
Albusaidi tha se ka ndarë detaje mbi negociatat midis ShBA-së dhe Iranit dhe përparimin e arritur.
“Jam mirënjohës për angazhimin e tyre dhe pres me padurim përparim më të madh dhe vendimtar në ditët në vijim. Paqja është brenda kapacitetit tonë,” shtoi ai.




















