Sulmet në stacionet e metrosë në Taipei të premten, ku u përdorën granata tymi dhe thika, lanë të paktën tre të vrarë, tha departamenti i zjarrfikësve të qytetit tajvanez, duke shtuar se i dyshuari është gjithashtu i vdekur.
Kryeministri i Tajvanit, Cho Jung-tai, tha se sulmet në Stacionin Qendror të Taipeit dhe stacionin Zhongshan ishin “një akt i qëllimshëm”, megjithëse motivi nuk ishte menjëherë i qartë.
Cho tha në një deklaratë se agresori mbante maskë dhe hodhi “pesë ose gjashtë bomba me benzinë ose bomba tymuese” në Stacionin Qendror.
Sipas Departamentit të Zjarrfikësve të Taipei City, gjithsej katër persona u konfirmuan të vdekur, përfshirë të dyshuarin, një burrë 27-vjeçar.
Pesë persona të tjerë u plagosën, tha departamenti i zjarrfikësve.
Një nga viktimat u vra ndërsa përpiqej të ndalonte sulmin në Stacionin Qendror, u tha gazetarëve Kryetari i Bashkisë, Chiang Wan-an.
“Fatkeqësisht, ai u sulmua dhe humbi jetën... të gjithë jemi thellësisht të trishtuar”, tha ai.
Një dëshmitar i sulmit në Stacionin Qendror i tha rrjetit lokal EBC News se pa një “burrë të nxitonte për ta ndaluar” autorin e sulmit, i cili “mbante maskë gazi dhe jelek antiplumb”.
“Në fillim mendova se ishte stërvitje, pastaj pashë një person që mbante thikë dhe hidhte bomba tymuese,” tha dëshmitari, i cili nuk dha emrin.
Kryebashkiaku tha se “e kuptojmë që i dyshuari kreu vetëvrasje duke u hedhur nga një ndërtesë për të shmangur arrestimin dhe është konfirmuar i vdekur”.
Alarm i lartë
Një dëshmitar i dytë i tha EBC News se “dikush vrapoi jashtë duke mbajtur maskë gazi dhe filloi të hidhte kapsolla që lëshonin gaz”.
“Vrapova menjëherë. Ai vazhdonte t’i hidhte pas meje. Nuk numërova sa (kapsolla) por kishte një zhurmë të vazhdueshme goditjesh”, shtoi dëshmitari, i cili gjithashtu nuk dha emrin.
“Nuk dëgjova shpërthime, por shumë gaz po përhapej”.
Cho, kryeministri i ishullit, më herët tha se tre persona pësuan arrest kardiak nga sulmet dhe disa të tjerë patën “plagë nga goditje më teh ose trauma të forta në pjesë të ndryshme të trupit”.
Autoritetet thanë se po rrisin masat e sigurisë në të gjithë ishullin në përgjigje të sulmeve.
“Të gjitha vendet e rëndësishme... përfshirë stacionet hekurudhore, autostradat, metronë dhe aeroportet po mbajnë një nivel të lartë alarmi dhe vigjilence”, u tha Cho gazetarëve.
Pamjet e publikuara nga Agjencia Qendrore e Lajmeve të Tajvanit tregojnë një kapsollë në tokë në Stacionin Qendror, me oficerët që kontrollonin provat e mundshme në vendngjarje.
Një video e postuar në rrjetet sociale shfaq një re të dendur tymi të bardhë që mbulon një seksion të metrosë nën tokë, me disa njerëz që qëndrojnë në distancë.
Presidenti Lai Ching-te tha se autoritetet tajvaneze do të “qartësojnë shpejt detajet e rastit. Nuk do të ketë tolerim dhe do të bëjmë gjithçka për të garantuar sigurinë e qytetarëve tanë”.
Krimet e dhunshme janë të rralla në Tajvan, megjithëse një sulm në vitin 2014 tronditi ishullin zakonisht paqësor, kur një burrë sulmoi me thikë pasagjerët në metronë e Taipeit, duke vrarë katër persona. Ai u ekzekutua në vitin 2016.























