Ish-princi britanik Andrew Mountbatten-Windsor është arrestuar për dyshimin e keqpërdorimit të funksionit publik pas zbardhjeve të fundit rreth Jeffrey Epstein, raportoi të enjten BBC.
BBC njoftoi se policia Thames Valley ka arrestuar Andrew Mountbatten Windsor (66) nga Norfolk në Angli.
Policia, në një deklaratë, refuzoi të identifikojë të pandehurin “sipas udhëzimeve kombëtare”, duke thënë se personi ndodhet “në këtë moment” në paraburgim dhe se po kryhen kontrolle në adresa në Berkshire dhe Norfolk.
“Pas një vlerësimi të thelluar, kemi hapur një hetim mbi këtë pretendim për keqpërdorim të funksionit publik”, tha ndihmësi i shefit të policisë, Oliver Wright.
Ish-princi ka mohuar çdo fajësi lidhur me krimet e seksualitetit të abuzuesit Epstein.
Policia më 9 shkurt njoftoi se po vlerëson raportet për keqpërdorim “sipas procedurave tona të përcaktuara”.
Vëllai më i ri i mbretit Charles shërbeu si përfaqësues tregtar i Britanisë së Madhe nga viti 2001 deri në 2011. Ai u tërhoq nga detyrat mbretërore në vitin 2019 pasi lidhja e tij me Epstein u bë publike.
Sipas dokumenteve të publikuara së fundmi, Andrew më 7 tetor 2010 i kishte dërguar Epsteinit detaje mbi udhëtimet e tij zyrtare si përfaqësues tregtar në Singapor, Vietnam, Shenzhen në Kinë dhe Hong Kong.
Duket se më 30 nëntor ai i ka dërguar raportet zyrtare për këto udhëtime, të cilat i kishte marrë nga asistenti i tij special në atë kohë.






