Presidentja e Sllovenisë, Natasha Pirc-Musar, ka deklaruar se vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të bëhen anëtare të Bashkimit Evropian (BE), duke theksuar se nuk ka Evropë të fortë pa zgjerimin e Unionit.
Duke folur në një konferencë për media pas takimit në kuadër të Procesit të Bërdo-Brionit, të mbajtur në Ohër, Pirc-Musar theksoi se perspektiva evropiane e Ballkanit Perëndimor duhet të mbetet një qëllim i përbashkët, edhe 16 vjet pas fillimit të këtij procesi.
“Vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të bëhen anëtare të BE-së. Thjesht, duhet të bëhen. Jam e bindur se nuk ka Evropë të fortë pa një BE të zgjeruar. Fatkeqësisht, zgjerimi i BE-së ende po zhvillohet shumë ngadalë”, deklaroi Pirc Musar.
“Me të drejtë presim nga vendet kandidate reforma, respektimin e sundimit të ligjit dhe të vlerave evropiane. Por edhe BE-ja duhet të përmbushë pjesën e saj të detyrimeve. Vendeve që i përmbushin kushtet duhet t’u mundësojmë përparim të mirëfilltë”, shtoi ajo.
Më tej, ajo theksoi se "përparimi rajonal është i rëndësishëm jo vetëm për ne, por edhe për Evropën".
Presidentja sllovene paralajmëroi në veçanti se çështjet e pazgjidhura nga e kaluara nuk duhet të kushtëzojnë të ardhmen e rajonit dhe rrugën e tij drejt integrimit evropian.















