Irani njoftoi sot se vazhdon shkëmbimin e mesazheve me ShBA-në përmes ndërmjetësuesve, duke theksuar se propozimi i tij i rishikuar diplomatik me shtatë faza mund të zbatohet plotësisht brenda dy ditësh.
Duke folur në një konferencë të përjavshme për media, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme, Esmaeil Baqaei tha se kontaktet diplomatike mes Teheranit dhe Uashingtonit janë duke vazhduar ndërsa propozimi aktual i Iranit mbetet baza për negociatat e tërthorta.
Ai tha se nisma ishte diskutuar gjerësisht gjatë vizitës së delegacionit iranian në Nju Jork, pas së cilës Teherani kishte marrë qëndrimet e Uashingtonit përmes ndërmjetësuesve. Baqaei tha se propozimi fillestar me shtatë faza ishte përmbledhur në një plan që mund të zbatohej brenda dy ditësh, duke e cilësuar këtë afat të shkurtuar si “dëshmi të vullnetit të mirë dhe qasjes konstruktive të Iranit” ndaj diplomacisë.
Sipas tij, plani mund të hapë rrugën për rifillimin e negociatave dhe rivendosjen e shpejtë të sigurisë në Ngushticën e Hormuzit, me kusht që Uashingtoni të plotësojë kërkesat e Teheranit.
"Tani topi është në fushën e ShBA-së", tha Baqaei duke theksuar se nuk mund të arrihet asnjë marrëveshje dhe se Ngushtica e Hormuzit nuk mund të rihapet apo të garantohet siguria e saj, nëse Washingtoni nuk i jep fund bllokadës detare dhe nuk plotëson kërkesat e Teheranit.
Ai konfirmoi se zëvendësministri i Jashtëm Kazem Gharibabadi kishte vizituar Dohën për të lehtësuar shkëmbimin e mesazheve mes Teheranit dhe Uashingtonit përmes ndërmjetësimit të Katarit.
Shkëmbimet e fundit diplomatike zhvillohen në një kohë tensionesh të vazhdueshme mes Teheranit dhe Uashingtonit lidhur me bllokadën detare amerikane dhe sigurinë në Ngushticën e Hormuzit, një rrugë ujore jetike për transportin global të energjisë.























