Presidentja e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska-Davkova, u ka përcjellë urimet e saj qytetarëve shqiptarë me rastin e 22 Nëntorit – Ditës së Alfabetit të Gjuhës Shqipe, duke e theksuar rëndësinë e kësaj date për identitetin kombëtar shqiptar.
Në mesazhin e saj të urimit, Siljanovska-Davkova tha se 22 Nëntori është një datë, rëndësia e së cilës tejkalon simbolikën e një përvjetori historik, pasi dëshmon vizionin dhe vetëdijen kombëtare për një identitet të veçantë, themeli i të cilit është alfabeti i njësuar shqip.
Ajo theksoi se Kongresi i Manastirit i vitit 1908 shënoi një pikë kthese dhe një fazë të re në zhvillimin e kombit shqiptar, përmes arsimit dhe kulturës në gjuhën e njësuar shqipe.
“Gjuha është tipari themelor i veçantisë kombëtare. Ajo është instrumenti më i fuqishëm për ndërtimin dhe shprehjen e kujtesës kolektive të një populli, trashëgimisë dhe përvojës /së tij shpirtërore”, thuhet në mesazhin e presidentes.
Ajo shtoi se gjuha shqipe u ka mundësuar shqiptarëve të shprehin respektin ndaj paraardhësve, por edhe përgjegjësinë ndaj pasardhësve.
Duke iu referuar shoqërisë multikulturore dhe sistemit politik demokratik në Maqedoninë e Veriut, Siljanovska-Davkova theksoi se shqiptarët dhe gjuha shqipe kanë një traditë të gjatë të pranisë në jetën kushtetuese, politike, ekonomike, arsimore, shkencore, kulturore, sportive, mediatike dhe të përditshme të vendit.
“Detyra jonë e përbashkët është të ndërtojmë një shoqëri në të cilën uniteti nuk do t’i mohojë, por do t’i respektojë dallimet, duke i trajtuar ato si vlera të qëndrueshme shoqërore”, theksoi ajo.
Presidentja uroi që 22 Nëntori të mos jetë vetëm një ditë kujtimi, kremtimi dhe krenarie, por edhe një nxitje për arritje të reja arsimore, shkencore dhe kulturore në gjuhën shqipe.
Në fund, ajo u përcolli urime të sinqerta të gjithë qytetarëve shqiptarë me rastin e Ditës së Alfabetit të Gjuhës Shqipe.















