Katër ushtarë meksikanë dhe shtatë persona të dyshuar si pjesëtarë të grupeve kriminale janë vrarë gjatë një operacioni për kapjen e një drejtuesi të njohur të një karteli të drogës në shtetin veriperëndimor Sinaloa të Meksikës, njoftoi të shtunën Sekretariati Kombëtar i Mbrojtjes i Meksikës.
Operacioni në komunën Guasave rezultoi me arrestimin e Fausto Isidro Meza Floresit, i njohur si “Chapo Isidro”, drejtues i organizatës kriminale Beltran Leyva dhe aleat i fraksionit Mayos të Kartelit të Sinaloas, sipas sekretariatit.
Gjithsej u arrestuan tetë persona të dyshuar si pjesëtarë të grupeve kriminale, përfshirë Meza Floresin, kushëririn e tij dhe zëvendësin e dytë në hierarkinë e organizatës, Germanin, i njohur si “Serafin”, si dhe kunatin e tij Jose, i cili dyshohet se menaxhonte financat e organizatës.
Të tre u transportuan me një avion ushtarak drejt Meksiko Sitit, ku mbërritën të shtunën në orën 05:20 sipas kohës lokale, përpara se të transferoheshin në Prokurorinë e Specializuar për Krimin e Organizuar, ku prokurorët federalë do të përcaktojnë statusin e tyre ligjor.
Pesë të dyshuarit e tjerë u transferuan te autoritetet federale në Culiacan, përfshirë një kushëri të Meza Floresit, të identifikuar si Panfilo, i cili dyshohet se ishte përgjegjës për operacionet logjistike.
Sekretariati njoftoi se shtatë sulmues u vranë gjatë operacionit, ndërsa katër ushtarë, të cilët po udhëtonin për ta përforcuar sigurinë në Guasave, u vranë gjatë rezistencës së grupit kriminal.
Autoritetet sekuestruan një pushkë të kalibrit 0,50, dhjetë armë të tjera zjarri, një granatahedhës, dy granata dore, municion, drogë dhe para të gatshme.
Ministria raportoi se nuk ka pasur viktima në mesin e civilëve.
- Reagimi i ShBA-së
Sekretari amerikan i Sigurisë Kombëtare, Markwayne Mullin, tha në një deklaratë se arrestimi dëshmon “forcën dhe shtrirjen e jashtëzakonshme” të Task-Forcës për Sigurinë Kombëtare (HSTF), një rrjet i unifikuar kombëtar i zbatimit të ligjit, i krijuar për të shkatërruar organizatat kriminale transnacionale.
Ai tha se hetuesit e Sigurisë Kombëtare (HSI) dhe partnerët e HSTF-së “ndoqën pa ndërprerje një nga drejtuesit më të rrezikshëm të karteleve në botë”, organizata e të cilit, sipas tij, dyshohet se ka përmbytur komunitetet amerikane me “narkotikë vdekjeprurës” dhe ka “terrorozuar komunitetet përmes dhunës ekstreme”.
“Ky operacion dërgon një mesazh të qartë se drejtuesit e karteleve nuk mund të fshihen pas kufijve, parave apo brutalitetit”, tha Mullin.
“Task-Forca për Sigurinë Kombëtare do ta vazhdojë punën për të shkatërruar këto rrjete kriminale dhe terroriste, për t’i mbajtur përgjegjës drejtuesit e tyre dhe për ta mbrojtur popullin amerikan”, shtoi ai.
Meza Flores u përfshi në listën e dhjetë personave më të kërkuar nga FBI-ja në shkurt të vitit 2025, për përfshirje të dyshuar në trafikimin e fentanilit, kokainës dhe drogave të tjera drejt ShBA-së.
ShBA-ja kishte ofruar një shpërblim deri në 5 milionë dollarësh për informacione që do të çonin në arrestimin ose dënimin e tij.















