| Albanian
RAJONI
2 minuta leximi
Shqipëria reagon për sulmin ndaj korvetës ruse: "Nuk ka origjinë nga territori ynë"
"Raportimet në fjalë janë të pasakta dhe nuk pasqyrojnë faktet. Shqipëria nuk ka qenë e përfshirë në këtë incident dhe territori i saj nuk është përdorur, e as nuk është vënë në dispozicion", tha Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme.
Shqipëria reagon për sulmin ndaj korvetës ruse: "Nuk ka origjinë nga territori ynë"
Shqipëria reagon për sulmin ndaj korvetës ruse: "Nuk ka origjinë nga territori ynë" / TRT Balkan AL
 

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë ka deklaruar se raportimet që pretendojnë se sulmi me dron kundër një korvete ruse e ka pasur origjinën nga territori shqiptar janë të pasakta. 

Në një reagim në rrjetet sociale, ministria ka theksuar se si institucion kanë marrë dijeni për raportimet sipas të cilave sulmi me dron detar kundër një korvete ruse e ka pasur origjinën nga territori shqiptar.

"Raportimet në fjalë janë të pasakta dhe nuk pasqyrojnë faktet. Shqipëria nuk ka qenë e përfshirë në këtë incident dhe territori i saj nuk është përdorur, e as nuk është vënë në dispozicion, për nisjen apo lehtësimin e një sulmi të tillë. I hedhim poshtë kategorikisht këto pretendime, të cilat janë paraqitur pa prova të verifikueshme", thekson ministria.

Gjithashtu në reagim thuhet se u bëjnë thirrje atyre që janë përgjegjës për përhapjen e këtyre pretendimeve që të korrigjojnë informacionin si dhe "të tregojnë saktësi, kujdes të duhur dhe përgjegjshmëri kur raportojnë për çështje të një ndjeshmërie të tillë".

Ukraina ka pretenduar se fundosur korvetën ruse, ka shkatërruar një helikopter ushtarak dhe ka goditur një anije mallrash në kuadër të një operacioni me dronë detarë pranë brigjeve të Libisë.

Në rrjetet sociale dhe në disa media është pretenduar se ka dyshime se mjetet detare u lëshuan nga brigjet e Shqipërisë.

BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë