Parlamenti i Libisë hodhi poshtë të hënën herët përdorimin e territorit ose ujërave të saj territoriale si fushëbetejë në konfliktet mes shteteve të huaja, pas sulmeve ndaj anijeve në Bengazi.
“Libia nuk është palë në konfliktin mes Rusisë dhe Ukrainës”, thuhet në deklaratën e Dhomës së Përfaqësuesve.
Parlamenti u bëri thirrje vendeve të rajonit dhe më gjerë të respektojnë sovranitetin dhe pavarësinë e Libisë, si dhe të shmangin veprimet që mund ta përfshijnë vendin në konflikte të huaja ose të rrezikojnë sigurinë dhe stabilitetin e tij.
Sipas parlamentit, marrëdhëniet dhe marrëveshjet e Libisë me shtetet e tjera nuk mund të përdoren si justifikim për sulme që cenojnë sigurinë dhe stabilitetin e saj.
Ai kërkoi që hetimet të përfundojnë dhe të përcaktohet përgjegjësia për sulmet, duke theksuar se Libia ruan të drejtën për të ndërmarrë hapa ligjorë dhe diplomatikë në përputhje me të drejtën ndërkombëtare.
Parlamenti bëri thirrje edhe për krijimin e një qeverie të unifikuar, duke paralajmëruar se përçarjet politike mund ta bëjnë vendin më të cenueshëm ndaj konflikteve të huaja. Sipas tij, mosmarrëveshjet politike nuk duhet të rrezikojnë sigurinë dhe sovranitetin e Libisë.
Sulmet e së dielës shënjestruan një anije ruse të ankoruar në portin e Bengazit dhe një anije mallrash me flamur maltez pranë bregdetit, sipas burimeve libiane dhe mediave lokale.
Një burim libian i tha agjencisë Anadolu se nga sulmi i parë u plagosën 10 persona. Mediat lokale raportuan se ekuipazhi i anijes malteze ishte evakuuar.
Qeveria me seli në lindje të Libisë njoftoi të dielën në mbrëmje se kishte paraqitur ankesë zyrtare në Asamblenë e Përgjithshme dhe Këshillin e Sigurimit të OKB-së, duke kërkuar hetim ndërkombëtar. Ajo gjithashtu kërkoi shpjegime nga Ukraina për aktivitetet e saj ushtarake në Libi.
Rusia dhe Ukraina nuk kishin reaguar menjëherë.
Libia vazhdon të jetë e ndarë mes dy administratave rivale: njërës në Tripoli, të udhëhequr nga kryeministri Abdul Hamid Dbeibeh, që kontrollon perëndimin e vendit, dhe tjetrës në Bengazi, të emëruar nga Dhoma e Përfaqësuesve në fillim të vitit 2022 dhe të udhëhequr nga Osama Hammad, e cila kontrollon lindjen dhe pjesën më të madhe të jugut.















