| Albanian
RAJONI
2 minuta leximi
Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut promovojnë sistemin “One-Stop Shop” në pikën kufitare Qafë Thanë
Sistemi i ri i kontrollit kufitar, promovimi i të cilit u bë me pjesëmarrjen e kryeministrave Edi Rama dhe Hristijan Mickoski, do të hyjë në fuqi nga e hëna.
Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut promovojnë sistemin “One-Stop Shop” në pikën kufitare Qafë Thanë
Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut promovojnë sistemin “One-Stop Shop” në pikën kufitare Qafë Thanë / َAA
 

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, dhe kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, morën pjesë sot në ceremoninë e promovimit të sistemit të ri të kontrollit kufitar “One-Stop Shop” në pikën kufitare Qafë Thanë, i cili synon të lehtësojë lëvizjen e qytetarëve dhe transportin mes dy vendeve.

Gjatë ceremonisë, Rama e cilësoi funksionalizimin e sistemit si një hap konkret që do të lehtësojë kalimin e miliona qytetarëve në këtë pikë kufitare. Ai theksoi se bashkëpunimi mes dy vendeve do të vazhdojë edhe për projekte të tjera të përbashkëta, veçanërisht për avancimin e Korridorit 8.

“Ne kemi një shprehje në shqip: beso dhe kontrollo. Deri tani, në këtë doganë ishim kontrollo, kontrollo, tani jemi beso, kontrollo. Hapi tjetër: beso, beso, që të mos kemi më asnjë kontroll këtu, në rrugëtimin e përbashkët në BE”, tha Rama.

Nga ana e tij, Mickoski vlerësoi se sistemi i ri do të mundësojë lëvizje më të shpejtë dhe më të thjeshtë të qytetarëve, duke shprehur pritshmëri që modeli i njëjtë i bashkëpunimit të shtrihet edhe në pikat e tjera kufitare mes dy vendeve. Ai gjithashtu theksoi rëndësinë e bashkëpunimit për zhvillimin e turizmit dhe forcimin e lidhjeve mes qytetarëve.

“Është kënaqësi që po bëjmë këtë bashkëpunim për një pikë kontrolli të vetme që lehtëson lëvizjen e njerëzve. Duam të përforcojmë bashkëpunimin edhe në pikat e tjera kufitare, si dhe bashkëpunimin në Ohër e Strugë nëpërmjet liqenit me Shqipërinë”, tha Mickoski.

Sistemi “One-Stop Shop”, i cili nis zyrtarisht të zbatohet nga nesër, parashikon kryerjen e kontrolleve kufitare në një pikë të vetme dhe me vetëm një ndalesë, në vend të kontrolleve të veçanta nga autoritetet e të dyja vendeve. Projekti synon të shkurtojë kohën e pritjes dhe të lehtësojë qarkullimin e udhëtarëve dhe transportit mes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut.