Katërmbëdhjetë vende dhe tre organizata rajonale dënuan të dielën deklaratat e ambasadorit amerikan në Izrael, Mike Huckabee, i cili tha se “do të ishte e pranueshme që Izraeli të ushtrojë kontroll mbi territore që u përkasin shteteve arabe, përfshirë Bregun Perëndimor të pushtuar”.
Në një deklaratë të përbashkët, ministritë e Jashtme të Türkiyes, Egjiptit, Jordanisë, Libanit, Indonezisë, Kuvajtit, Palestinës, Katarit, Omanit, Pakistanit, Bahreinit, Arabisë Saudite, Sirisë dhe Emirateve të Bashkuara Arabe dënuan ”fuqishëm” dhe shprehën “shqetësim të thellë” lidhur me këto komente.
Deklarata u nënshkrua gjithashtu me pjesëmarrjen e sekretariateve të Organizatës së Bashkëpunimit Islam, Ligës Arabe dhe Këshillit të Bashkëpunimit të Gjirit.
Sipas ministrive, deklaratat e të dërguarit amerikan janë “të rrezikshme dhe nxitëse”, përbëjnë “shkelje flagrante të parimeve të së drejtës ndërkombëtare dhe Kartës së Kombeve të Bashkuara” dhe përbëjnë një kërcënim serioz për sigurinë dhe stabilitetin rajonal.
Ato theksuan se komentet bien drejtpërdrejt ndesh me vizionin e shpallur nga presidenti amerikan Donald Trump dhe me Planin Gjithëpërfshirës për Përfundimin e Konfliktit në Gaza, i cili synon përmbajtjen e përshkallëzimit dhe krijimin e një horizonti politik për një zgjidhje gjithëpërfshirëse që garanton krijimin e një shteti të pavarur palestinez.
Nënshkruesit paralajmëruan se përpjekjet “për të legjitimuar kontrollin mbi tokat e të tjerëve minojnë këto objektiva, ushqejnë tensionet dhe përbëjnë nxitje, jo hapa drejt paqes”.
Deklarata riafirmoi se “Izraeli nuk ka sovranitet mbi Territorin Palestinez të Pushtuar apo mbi ndonjë tokë tjetër arabe të pushtuar”, duke përsëritur refuzimin kategorik të çdo përpjekjeje për aneksimin e Bregut Perëndimor, ndarjen e tij nga Gaza dhe zgjerimin e vendbanimeve izraelite.
Gjithashtu u theksua se vazhdimi i politikave zgjeruese dhe masave të paligjshme të Izraelit “vetëm sa do të nxisë dhunë dhe konflikt në rajon dhe do të minojë perspektivat për paqe”.
Vendet nënshkruese bënë thirrje për ndaljen e asaj që e quajtën “deklarata nxitëse” dhe riafirmuan angazhimin e tyre për të drejtën e patjetërsueshme të popullit palestinez për vetëvendosje dhe për krijimin e një shteti të pavarur përgjatë kufijve të 4 qershorit 1967, si dhe për përfundimin e pushtimit të të gjitha tokave arabe.
I dërguari amerikan mbështet pretendime territoriale zgjeruese për Izraelin
Mike Huckabee, i emëruar ambasador i ShBA-së në Izrael në prill 2025, është një i krishterë ungjillor që më parë ka mbështetur pretendime zgjeruese mbi bazën e asaj që ai e quan “e drejtë hyjnore” e Izraelit mbi Bregun Perëndimor.
Në një podcast të publikuar të premten, ai tha se Izraeli ka një “të drejtë biblike” mbi tokat që shtrihen nga lumi Nil deri në Eufrat, duke shtuar: “Do të ishte në rregull nëse ata (Izraeli) i merrnin të gjitha”.
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka deklaruar më herët se ndihet “shumë i lidhur” me vizionin e një “Izraeli të Madh”, një term që në politikën izraelite përdoret për të përshkruar zgjerimin territorial për të përfshirë Bregun Perëndimor, Gazën dhe Lartësitë Golan të Sirisë, me disa interpretime që përfshijnë edhe Gadishullin e Sinait të Egjiptit dhe pjesë të Jordanisë.










