Në Kosovë, Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit ka njoftuar se po e monitorojnë vazhdimisht nga jashtë procesin e rinumërimit të rezultateve zgjedhore në disa të komuna të vendit.
Koordinatorja nacionale për zgjedhje, prokurorja Laura Pula, ka identifikuar mospërputhje në numërimin e votave brenda subjekteve politike për deputet në rajone të ndryshme të Kosovës.
Pas këtij evidentimi, ajo ka kërkuar nga kryeprokurorët e të gjitha prokurorive themelore që, në komunat ku ka përfunduar rinumërimi i votave, ta fillojnë grumbullimin e informatave të nevojshme dhe sigurimin e provave relevante, të cilat mund të dëshmojnë kryerjen e ndonjë vepre penale që lidhet me procesin zgjedhor.
Pula ka kërkuar gjithashtu që edhe në komunat ku rinumërimi ende nuk ka përfunduar, procesi i mbledhjes së provave të nisë menjëherë pas përmbylljes së rinumërimit, duke siguruar mbikëqyrje të plotë të procesit.
Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit në Kosovë thekson se Prokurori i Shtetit do të mbetet i angazhuar për mbrojtjen e votës së lirë të qytetarëve të Kosovës, duke hetuar çdo rast të dyshuar për keqpërdorim apo falsifikim të votave, pavarësisht nga mënyra ose autorët e mundshëm.



























