Kryeministri britanik Keir Starmer ka deklaruar se nuk është “i gatshëm” që Mbretëria e Bashkuar t’i bashkohet një lufte pa një bazë të qartë ligjore dhe një plan të detajuar, pasi u përball me pyetje se përse Britania nuk ka ndërmarrë sulme ofensive kundër Iranit.
“Ajo që nuk isha i përgatitur të bëja të shtunën ishte që Mbretëria e Bashkuar t’i bashkohej një lufte pa qenë i bindur se ekziston një bazë ligjore dhe një plan i zbatueshëm, i menduar mirë. Ky mbetet qëndrimi im”, tha Starmer gjatë seancës së pyetjeve për Kryeministrin.
“Duhet të veprojmë, pra, me qartësi, me qëllim dhe me gjakftohtësi”, shtoi ai.
Ai konfirmoi se qeveria do të organizojë fluturime çarter për evakuimin e shtetasve britanikë nga Lindja e Mesme.
Fluturimi i parë çarter “pritet të niset nga Omani më vonë gjatë ditës së sotme, ndërsa edhe dy të tjerë do të realizohen në ditët në vijim”, tha ai.
Starmer shtoi se do të organizohen edhe fluturime të tjera çarter në ditët e ardhshme dhe se “British Airways po vendos një fluturim shtesë nga Omani”.
Ai konfirmoi gjithashtu se të mërkurën “më shumë se një mijë shtetas britanikë mbërritën në Mbretërinë e Bashkuar me fluturime komerciale nga Emiratet e Bashkuara Arabe. Edhe tetë fluturime të tjera pritet të nisen sot nga Emiratet drejt Britanisë”.
Kryeministri tha se Britania ka punuar ngushtë me ShBA-në për të forcuar praninë e saj ushtarake në rajon, përfshirë dislokimin paraprak të sistemeve radarike, mbrojtjes ajrore tokësore, sistemeve kundër dronëve dhe avionëve luftarakë F-35.






















