Ministria e Punëve të Jashtme dhe e Diasporës e Republikës së Kosovës (MPJD) ka reaguar pasi në ambientet e jashtme të Ambasadës së Republikës së Kosovës në Berlin, janë vendosur "etiketa fyese dhe me përmbajtje shoviniste" në gjuhën serbe mbi pllakatin identifikues të objektit.
Sipas MPJD-së, mbishkrimet e vendosura përmbajnë slogane nacionaliste dhe nxitëse, përfshirë mesazhe si “Nuk ka dorëzim”, “Kosova është Serbi” dhe thirrje të tjera me konotacion propagandistik dhe përçarës.
“Menjëherë pas identifikimit të këtij akti, Ambasada e Republikës së Kosovës në Berlin ka njoftuar autoritetet kompetente gjermane. Policia gjermane është informuar dhe pritet të ndërmarrë veprimet përkatëse në vendngjarje, përfshirë hetimin e plotë të rrethanave dhe identifikimin e përgjegjësve”, thuhet në reagim.
Ministria e Punëve të Jashtme dhe e Diasporës në reagimin e saj ka dënuar fuqishëm çdo akt vandalizmi, gjuhë urrejtjeje dhe çdo përpjekje për të cenuar përfaqësitë diplomatike të Republikës së Kosovës.
“Veprime të tilla janë të papranueshme dhe bien ndesh me normat dhe konventat ndërkombëtare që garantojnë paprekshmërinë e misioneve diplomatike si dhe dëmtojnë frymën e bashkëjetesës dhe respektit ndërmjet shteteve”, thuhet tutje në reagim.
MPJD-ja ka thënë në fund se Kosova mbetet e përkushtuar ndaj promovimit të paqes, dialogut, bashkëpunimit dhe marrëdhënieve të mira ndërkombëtare, duke vazhduar të ushtrojë misionin e saj diplomatik në përputhje të plotë me parimet dhe standardet ndërkombëtare.


















