Forumi i pestë i Biznesit dhe Ekonomisë Türkiye-Afrikë (TABEF) u hap sot në Istanbul, i organizuar nga Bordi i Marrëdhënieve Ekonomike me Jashtë (DEIK) me Unionin Afrikan (AU) nën mikpritjen e Ministrisë turke të Tregtisë.
Forumi, me Anadolun si partnerin global të komunikimit, mbahet këtë vit nën temën "Shfrytëzimi i marrëdhënieve Türkiye-Afrikë për përfitime të ndërsjella". Sektorët kryesorë në TABEF përfshijnë bujqësinë dhe ushqimin, energjinë e rinovueshme, minierat, automobilat, tekstilet, transportin dhe logjistikën, ndërtimin, mbrojtjen dhe teknologjitë digjitale.
Gjatë forumit dyditor, në panele do të shqyrtohen tema si zinxhirët konkurrues dhe bashkëpunues të vlerave të tekstilit, financimi i nevojave të infrastrukturës së Afrikës, furnizimet farmaceutike dhe mjekësore, qendra logjistike Türkiye-Afrikë, lidershipi dhe sipërmarrja e grave, siguria ushqimore, energjia dhe minierat, bashkëpunimi i aviacionit civil dhe tregtia dhe prodhimi digjital.
Presidenti turk Recep Tayyip Erdoğan dhe zonja e parë Emine Erdoğan pritet të marrin pjesë në forum së bashku me kryetarin e AU-së dhe presidentin e Angolës, Joao Lourenco, dhe zonjën e parë Ana Afonso Dias Lourenco, si dhe kryetarin e Komisionit të AU-së, Mahmoud Ali Youssouf. Ministri turk i Tregtisë, Ömer Bolat, ministri i Shëndetësisë, Kemal Memişoğlu, ministrja e Familjes dhe Shërbimeve Sociale, Mahinur Özdemir Göktaş, dhe ministri i Bujqësisë dhe i Pylltarisë, Ibrahim Yumaklı, do të marrin pjesë gjithashtu në këtë aktivitet.
Forumi, në të cilin do të marrin pjesë edhe komisarja e Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë, Turizmit, Industrisë dhe Minierave e AU-së, Francisca Tatchouop Belobe, kryetari i DEIK-ut, Nail Olpak, kryetari i Koordinimit të Këshillave të Biznesit të DEIK-ut Türkiye-Afrikë, Fuat Tosyalı, si dhe ministra të financave, tregtisë dhe ekonomisë nga vendet afrikane, do të përfundojë të premten.