Duke rritur edhe më tej tensionet në luftën tregtare globale, presidenti i ShBA-së, Donald Trump, kërcënoi të premten me vendosjen e tarifave shtesë prej 50% ndaj Kinës, përveç tarifës reciproke prej 34% të shpallur javën e kaluar.
“Në mënyrë sfiduese, Kina vendosi dje tarifa hakmarrëse prej 34%, përveç tarifave të saj tashmë rekord, barrierave jotarifore, subvencioneve të paligjshme për kompanitë dhe manipulimit afatgjatë të monedhës, pavarësisht paralajmërimit tim se çdo vend që hakmerret ndaj ShBA-së me tarifa shtesë, përtej abuzimit të tyre të kahershëm tarifor ndaj vendit tonë, do të përballet menjëherë me tarifa të reja dhe ndjeshëm më të larta”, shkroi Trump në rrjetet sociale.
Ai deklaroi se nëse Kina nuk tërheq rritjen e saj tarifore prej 34% deri më 8 prill, atëherë ShBA-ja do të vendosë tarifa shtesë prej 50% ndaj saj.
Sipas presidentit, këto tarifa do të hyjnë në fuqi të mërkurën.
“Për më tepër, të gjitha bisedimet me Kinën lidhur me takimet që ata kanë kërkuar me ne do të ndërpriten! Ndërkohë, do të fillojnë menjëherë negociatat me vende të tjera që kanë kërkuar gjithashtu takim,” shtoi Trump.
Të mërkurën e kaluar, Trump njoftoi vendosjen e tarifave reciproke të gjera ndaj mbi 180 vendeve, që variojnë nga 10% deri në 50%.
Kina ishte goditur me një tarifë prej 34%. Si kundërpërgjigje, Kina vendosi të njëjtën tarifë prej 34% për të gjitha importet nga ShBA-ja, një veprim i interpretuar si hakmarrje ndaj masës së Trumpit.