Türkiye është në rrugën e krijimit të infrastrukturës së vet sovrane të inteligjencës artificiale për të përmbushur nevojat e kompanive vendase pa asnjë varësi nga jashtë.
Mehmet Uner, këshilltar strategjie në ‘Ena Venture Capital’, duke folur për Anadolu tha se fondi synon të krijojë një inteligjencë artificiale sovrane të Türkiyes si investitor kryesor në startup-e të fazës së hershme të inteligjencës artificiale në vend.
Duke folur në margjinat e ngjarjes së startup-eve, ‘Take Off Istanbul 2025’, Uner tha se fondi investon në startup-e që operojnë në fusha si inteligjenca artificiale, ‘cloud’ kompjutimi dhe siguria kibernetike. Fondi është i përfshirë në startup-e në fazën e para-fillimit dhe fazës fillestare.
“Po marrim pjesë në ‘Take Off Istanbul’ me katër kompani. ‘Orbina’ operon në inteligjencën artificiale agjentike, ‘Enlighty’ punon me analiza të klientëve dhe tregut, ‘MagicPay’ zhvillon një sistem përpunimi pagesash dhe ‘CloudFlex’ dallohet me infrastrukturën e vet hibride të ‘cloud’ kompjutimit”, tha Uner.
Ai theksoi se platforma ‘Orbina’, në veçanti, ka realizuar projekte të mëdha, sidomos në financa për kompanitë e sigurimeve dhe bankat, si dhe në sektorin publik.
“Kjo është një nga investimet tona për të cilat jemi krenarë”, tha ai, duke theksuar se platforma u ofron institucioneve përparësi në efikasitet.
“Zgjidhjet e ‘Orbina’-s u mundësojnë atyre të punojnë më me efikasitet duke automatizuar detyrat. Një nga karakteristikat më të rëndësishme të ‘Orbina’-s është se ajo ka zhvilluar një model të madh gjuhësor (LLM) në turqisht, që u lejon përdoruesve të krijojnë agjentë të inteligjencës artificiale që flasin më mirë gjuhën tonë dhe ofrojnë asistencën më të mirë”, tha ai.
Më tej, Uner tha se një tjetër investim nga ‘Ena Venture Capital’ është ‘Nuvena’, një kompani që punon për ndërtimin e infrastrukturës sovrane të inteligjencës artificiale në Türkiye.
“Kur po krijonim fondin e investimeve vumë re se të gjitha startup-et e inteligjencës artificiale në të cilat investojmë, për fat të keq, përballen me nevoja infrastrukturore, ato përpiqen të mbushin boshllëqet jashtë Türkiyes, ndaj thamë: le të investojmë në Türkiye dhe të krijojmë infrastrukturën tonë sovrane të inteligjencës artificiale, sepse kështu startup-et tona mund ta përdorin këtë si bazë, në vend që të kërkojnë zgjidhje jashtë vendit. Dhe këtë synojmë ta arrijmë me ‘Nuvena’-n”, u shpreh ai.
Uner tha se objektivi i investimit në ‘Nuvena’ është krijimi i kapaciteteve të një qendre të dhënash në Türkiye dhe ndërtimi i një shtrese të inteligjencës artificiale mbi të.
“Me shtresën tonë sovrane të inteligjencës artificiale, duam që kompanitë dhe startup-et turke të plotësojnë nevojat e tyre për kapacitet dhe pajisje brenda vendit, në vend të zgjidhjeve të huaja”, tha ai.




















