Kancelari gjerman, Friedrich Merz, tha të hënën se do të përpiqet të takohet këtë javë me presidentin amerikan Donald Trump për ta parandaluar përshkallëzimin e mëtejshëm të mosmarrëveshjes për Grenlandën.
Duke folur në një konferencë për shtyp në Berlin, Merz tha se vendet evropiane që kanë shprehur mbështetje për sovranitetin e Danimarkës dhe që janë kërcënuar nga Trumpi me tarifa, duan të shmangin çdo përshkallëzim.
“Do të kemi mundësi këtë javë në Davos që ta diskutojmë këtë çështje në takime të ndryshme. Do të përpiqem të takohem me presidentin Trump të mërkurën”, tha ai, duke iu referuar takimeve të Forumit Ekonomik Botëror në Zvicër.
Lideri konservator gjerman tha se evropianët e njohin rëndësinë strategjike të sigurisë në Arktik dhe rolin e Grenlandës, dhe janë të gatshëm t’i adresojnë këto shqetësime së bashku me NATO-n përmes rritjes së pranisë në rajon.
Ai theksoi gjithashtu se, nëse Trump zbaton kërcënimet për tarifa ndaj vendeve që kundërshtojnë ambiciet e tij për Grenlandën, Evropa është e gatshme të përgjigjet me masa kundërekonomike.
“Nuk e dua këtë, por, nëse është e nevojshme, sigurisht që do të mbrojmë interesat tona evropiane, përfshirë interesat kombëtare gjermane”, tha Merz. “Ne nuk e duam këtë përshkallëzim. Nuk duam një konflikt tregtar me ShBA-në, por nëse përballemi me tarifa që i konsiderojmë të paarsyeshme, atëherë jemi të aftë të përgjigjemi.”
“Tarifat dëmtojnë edhe amerikanët”
Merz theksoi se përdorimi i tarifave si mjet për të formësuar politikën e jashtme nuk është vetëm kundërproduktiv, por shkakton edhe dëme ekonomike në të dy anët e Atlantikut, përfshirë konsumatorët dhe bizneset amerikane.
“Tarifat nuk i sjellin dobi askujt dhe dëmtojnë pothuajse të gjithë. Në fakt, konsumatorët amerikanë tashmë po i ndiejnë efektet e këtyre tarifave”, u tha ai gazetarëve. “Ekonomia amerikane nuk po ecën aq mirë sa sa qeveria amerikane kishte parashikuar një vit më parë dhe, sipas vlerësimit tim, kjo lidhet pjesërisht me politikën e tarifave të Trumpit”.
Merz tha gjithashtu se liderët evropianë do të mbajnë një takim të jashtëzakonshëm në Bruksel të enjten në mbrëmje për të diskutuar masat e mundshme kundërpërgjigjëse dhe për të paraqitur një reagim të bashkuar ndaj kërcënimit amerikan me tarifa.
Trump njoftoi të shtunën se Uashingtoni do të vendosë tarifa mbi mallrat nga Danimarka, Norvegjia, Suedia, Franca, Gjermania, Britania e Madhe, Holanda dhe Finlanda, duke nisur nga 1 shkurti. Tarifat do të fillojnë me 10 për qind dhe do të rriten në 25 për qind deri më 1 qershor.
Presidenti amerikan tha se masat do të mbeten në fuqi derisa të arrihet një marrëveshje për “blerjen e plotë dhe totale” të Grenlandës nga Danimarka. Ai përmendi shqetësime të sigurisë kombëtare, duke thënë se “paqja botërore është në rrezik” dhe duke pretenduar se “Kina dhe Rusia e duan Grenlandën dhe Danimarka nuk mund të bëjë asgjë për këtë”.
Grenlanda, një territor vetëqeverisës brenda Mbretërisë së Danimarkës, ka tërhequr interesin e ShBA-së për shkak të pozicionit të saj strategjik dhe burimeve të mëdha minerare, si dhe për shqetësime të pretenduara mbi rritjen e aktivitetit rus dhe kinez.
Si Danimarka, ashtu edhe Grenlanda, kanë hedhur poshtë çdo propozim për shitjen e territorit, duke riafirmuar sovranitetin danez mbi ishullin.





















