Hekurudhat Shtetërore të Türkiyes (TCDD) dhe Hekurudhat Shtetërore të Arabisë Saudite (SAR) nënshkruan të hënën një memorandum mirëkuptimi për mirëmbajtje dhe riparim hekurudhor, zhvillim infrastrukture, menaxhim trafiku dhe ndarje kapaciteti, si dhe trajnim dhe konsulencë.
Marrëveshja u nënshkrua në Arabinë Saudite gjatë takimeve të mbajtura me delegacionet e kryesuara nga Drejtori i Përgjithshëm i TCDD-së, Veysi Kurt, dhe Drejtori i Përgjithshëm i SAR-it, Bashar bin Khalid Al Malik, shkroi Ministria Turke e Transportit në platformën turke të mediave sociale NSosyal.
“Takimi trajtoi mundësitë e bashkëpunimit afatgjatë në fushat e mirëmbajtjes dhe riparimit hekurudhor, zhvillimit të infrastrukturës, menaxhimit të trafikut dhe ndarjes së kapacitetit, trajnimit dhe konsulencës”, thuhet në deklaratë.
Në përfundim të takimeve, një Memorandum Mirëkuptimi për Zhvillimin e Bashkëpunimit në Sektorin Hekurudhor u nënshkrua midis dy hekurudhave shtetërore.
“Me këtë bashkëpunim, TCDD synon të forcojë partneritetin e tij të fuqishëm në rrjetin ndërkombëtar hekurudhor dhe të konsolidojë më tej pozicionin udhëheqës të Türkiyes në korridoret e transportit global”, shtoi ajo.
Kohët e fundit, Türkiye ka zgjeruar rrjetin e saj të bashkëpunimit hekurudhor në botën arabe. Ministrat e transportit të Türkiyes, Sirisë dhe Jordanisë janë pajtuar të ringjallin Hekurudhën Hixhaz, duke shënuar një hap historik në transportin rajonal, sipas Ministrit Turk të Transportit Abdulkadir Uraloğlu.
Ai shtoi se 30 kilometra (18,6 milje) e superstrukturës së munguar të hekurudhës në Siri do të përfundojnë me ndihmën turke.
Pala jordaneze do t'i eksplorojë kapacitetet teknike për mirëmbajtjen, riparimin dhe operimin e lokomotivave në Siri, tha ai.
Do të kryhen studime të përbashkëta teknike për të forcuar lidhjen e Türkiyes me Detin e Kuq përmes Portit të Akabas, theksoi ai.