Ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme dhe e Diasporës e Kosovës, Donika Gërvalla, është pritur në takim nga ministri i Punëve të Jashtme i Türkiyes, Hakan Fidan në kuadër të takimit të Platformës së Dytë të Paqes në Ballkan.
Ministrja Gërvalla nëpërmjet rrjeteve sociale tha se Republika e Türkiyes, si mike e ngushtë dhe aleate e vërtetë e Republikës së Kosovës, mbetet një partner i rëndësishëm në promovimin e paqes, stabilitetit dhe bashkëpunimit rajonal.
“Republika e Kosovës, përmes angazhimit të saj në këtë platformë, riafirmon orientimin e saj strategjik drejt integrimit euroatlantik, përfshirë anëtarësimin në Bashkimin Evropian dhe në NATO, si dhe përkushtimin për paqe të qëndrueshme, marrëdhënie të mira fqinjësore dhe stabilitet rajonal”, tha Gërvalla.
Ministrja kosovare po ashtu bëri të ditur se në takim ka theksuar rëndësinë e thellimit të bashkëpunimit në fushën e sigurisë dhe përpjekjeve të përbashkëta për një rajon më të sigurt.
“Falënderova Ministrin Fidan për ftesën, duke nënvizuar marrëdhëniet e shkëlqyera dhe partneritetin e qëndrueshëm ndërmjet Kosovës dhe Türkiye si dhe rolin e Türkiyes në avancimin e dialogut, paqes dhe stabilitetit në rajon dhe më gjerë”, shtoi Gërvalla.
Takimi i Dytë i Platformës së Paqes së Ballkanit mbahet sot në Istanbul, nën mikpritjen e kryediplomatit të Türkiyes, Hakan Fidan.
























