| Albanian
POLITIKË
2 minuta leximi
Londra dhe Brukseli bien dakord për heqjen e kontrolleve ushqimore pas Brexit-it
Marrëveshja e propozuar do të eliminonte certifikatat shëndetësore të eksportit, tarifat e inspektimit dhe pengesat e tjera tregtare mes Mbretërisë së Bashkuar dhe BE-së.
Londra dhe Brukseli bien dakord për heqjen e kontrolleve ushqimore pas Brexit-it
Londra dhe Brukseli bien dakord për heqjen e kontrolleve ushqimore pas Brexit-it
 

Mbretëria e Bashkuar dhe Bashkimi Evropian (BE) kanë rënë dakord për një projektmarrëveshje që synon heqjen e kontrolleve dhe procedurave burokratike të vendosura pas Brexit-it për eksportet ushqimore dhe bujqësore, përpara një samiti të planifikuar më vonë gjatë këtij muaji.

BBC raportoi se teksti prej 200 faqesh i projektmarrëveshjes së propozuar sanitare dhe fitosanitare (SPS) u është shpërndarë shteteve anëtare të BE-së në Bruksel për shqyrtim në një takim të mërkurën.

Gjithashtu, janë shpërndarë projektmarrëveshje që mbulojnë tregtimin e emetimeve dhe një skemë për udhëtimin dhe punësimin e të rinjve, krahas një deklarate të përbashkët 15-faqëshe për udhëheqësit e Mbretërisë së Bashkuar dhe BE-së.

Marrëveshja SPS, e cilësuar si pjesa më e rëndësishme e procesit të rivendosjes së marrëdhënieve pas Brexit-it deri më tani, pritet të heqë disa kontrolle dhe tarifa të vendosura ndaj eksportuesve pas largimit të Mbretërisë së Bashkuar nga tregu i përbashkët i BE-së.

Marrëveshja e propozuar do të eliminonte nevojën për certifikatat shëndetësore të eksportit me vlerë 200 paund (gati 270 dollarë), certifikatat fitosanitare prej 25 paundësh, tarifat e inspektorëve, certifikatat organike, disa tarifa portuale, tarifat e marrjes së mostrave dhe kontrolle të tjera për mallrat që tregtohen mes Mbretërisë së Bashkuar dhe BE-së.

Ajo do të mundësonte rifillimin e eksporteve nga Mbretëria e Bashkuar të salsiçeve të freskëta, hamburgerëve, produkteve të detit nga ujërat vendase dhe farës së patates. Qeveria britanike vlerëson se marrëveshja mund të sjellë përfundimisht përfitime ekonomike vjetore prej 5,1 miliardë paundësh.

Marrëveshjet e propozuara janë pjesë e përpjekjeve për rivendosjen e marrëdhënieve mes Londrës dhe Brukselit pas Brexit-it. Lidhur me pasojat politike të afrimit më të madh me BE-në, kryeministri britanik Andy Burnham tha së fundmi se "opinioni publik në nivel kombëtar ka ndryshuar" që nga referendumi i Brexit-it në vitin 2016.

Megjithatë, ai theksoi se nuk do të "veprojë përpara opinionit publik" për këtë çështje. "Publiku duhet të jetë vendimmarrësi për çdo gjë që ndodh lidhur me Brexit-in", shtoi ai.

BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë