Agim Ademi do të jetë edhe për një mandat katërvjeçar president i Federatës së Futbollit në Kosovë (FFK).
Ademi u riemërua në këtë pozitë me besimin e votave të delegatëve të Kuvendit Zgjedhor të FFK-së.
Ademi i cili do të jetë në këtë pozitë në mandatin e tij të tretë me radhë, në fjalën e tij pasi rimori drejtimin, tha se do të jetë në shërbim të futbollit në çdo kohë.
Ai ka thënë se vota e dhënë ndaj tij, është besim për të dhe ekipin e tij të punës.
"Të dashur delegatë, vota juaj sot është besim për mua dhe ekipin tim. Vota juaj sot është vlerësim i punës të bërë bashkërisht, dhe vota juaj sot është përkrahje për të ardhmen dhe punën e mëtejmë bashkë me ekipin tim", tha ai.
Ademi theksoi se emërimi i tij edhe për një mandat në krye të FFK-së është për të shtysë për punë dhe detyrë të cilën ai tha se e bën me përkushtim dhe me kënaqësi.
"Gjithmonë do të jem i gatshëm në shërbimin tuaj. Më keni gjithmonë të gatshëm për nevojat e futbollit, për detyrat tona që kemi bashkërisht me të gjithë këta njerëz dhe me stafin tim e administratën e futbollit dhe i falënderoj shumë sepse këtë punë nuk e kam bërë unë, por e kanë bërë të gjithë këta", tha Ademi.
Para emërimit të tij edhe për një mandat, u shfaqën para pjesëmarrësve disa grafika me shifra ku u tregua puna e bërë gjatë mandatit të fundit.
Agim Ademi nuk pati asnjë kundërkandidat në garë për pozitën e presidentit të FFK-së.



















