Instituti "Yunus Emre" Tiranë, në bashkëpunim me disa institucione arsimore dhe sociale në Tiranë dhe Shkodër, do të organizojë aktivitetin “Türkiye Frymëzuese”, kushtuar prezantimit dhe zbatimit praktik të arteve tradicionale turke Ebru, Kat’ı, Miniaturë dhe Tezhip.
Sipas një njoftimi nga Instituti "Yunus Emre" Tiranë, aktivitetet do të zhvillohen më 9, 10 dhe 11 shkurt në shkolla, shtëpi fëmijësh, institucione sociale dhe në ambientet e Institutit Yunus Emre, duke përfshirë nxënës, të rinj dhe persona me aftësi të kufizuara.
Aktiviteti organizohet në bashkëpunim me Gjimnazin e Gjuhëve të Huaja “Asim Vokshi” Tiranë, Shkollën Private “Hafiz Ibrahim Dalliu” Tiranë, Shtëpinë e Fëmijës “Zyber Hallulli” në Tiranë, Shtëpinë e Fëmijëve Jetimë Shkodër, Shoqatën e Personave me Aftësi të Kufizuara Shkodër dhe Institutin "Yunus Emre" Shkodër.
Punëtoritë do të udhëhiqen nga pedagoge dhe artiste të njohura turke, mes tyre Dr. Songul Ergun, Dr. Selda Kavas Afacan, Dr. Gulseren Toy dhe Doc. Dr. Mesude Hulya Dogru.
Qëllimi i veprimtarisë është njohja me trashëgiminë kulturore turke përmes përvojës praktike artistike, si dhe rritja e ndërgjegjësimit kulturor tek të rinjtë, të cilët do të kenë mundësinë të realizojnë edhe punime origjinale individuale.



















