Ministri i Jashtëm i Türkiyes, Hakan Fidan, dhe homologu i tij irakian, Fuad Hussein, u takuan të premten në Ankara, duke premtuar ta thellojnë bashkëpunimin në fushën e energjisë, stabilitetit rajonal dhe luftës kundër terrorizmit, ndërsa shprehën gjithashtu mbështetje të fortë për armëpushimin në Gaza.
Fidan njoftoi se dërgesat e naftës përmes tubacionit Irak–Türkiye janë rifilluar më 27 shtator, duke e quajtur këtë një moment të rëndësishëm për bashkëpunimin dypalësh në fushën e energjisë.
Të dy ministrat nënvizuan angazhimin e tyre për të avancuar projektin e Korridorit të Mesëm dhe thanë se do të intensifikojnë përpjekjet për ta kthyer këtë nismë në realitet.
Sa u përket çështjeve rajonale, Fidan theksoi se Iraku ka ndërmarrë “hapa domethënës” për ta mbështetur integritetin territorial të Sirisë, duke i bërë thirrje Bagdadit dhe Damaskut të forcojnë marrëdhëniet mes tyre. Ai gjithashtu e përshkroi mbajtjen e zgjedhjeve të ardhshme të Këshillit të Përfaqësuesve në Irak si thelbësore për forcimin e demokracisë.
Nga ana e tij, ministri irakian Hussein tha se Bagdadi e vlerëson partneritetin me Ankaranë në përballimin e sfidave të përbashkëta, përfshirë terrorizmin dhe sigurinë ujore, dhe ripërsëriti gatishmërinë e Irakut për të zgjeruar bashkëpunimin strategjik me Türkiyen.
Hussein shtoi se çështja e ujit ishte një nga temat kryesore gjatë bisedimeve me homologun turk, duke theksuar se Bagdadi e sheh rifillimin e dërgesave të naftës përmes tubacionit Irak–Türkiye si një zhvillim të rëndësishëm për ekonomitë e të dyja vendeve.
Ai shtoi se Iraku është i përkushtuar të punojë ngushtë me Türkiyen dhe Sirinë për të garantuar sigurinë, duke theksuar: “Ne duam të shohim një Irak, Türkiye dhe Siri të sigurta, dhe jemi të gatshëm të punojmë së bashku për sigurinë e të gjithë rajonit”.
Sa i përket Gazës, Fidan tha: “Shpresojmë që armëpushimi të zbatohet pa shkelje nga pala izraelite”, duke bërë thirrje për përpjekje të përbashkëta rajonale dhe ndërkombëtare drejt zgjidhjes me dy shtete.
Fidan gjithashtu konfirmoi se Türkiye ka ndihmuar në evakuimin e qytetarëve të saj dhe aktivistëve ndërkombëtarë që u ndaluan nga Izraeli gjatë incidentit të Flotiljes së Lirisë.