Sot, Dhoma e Ulët e Parlamentit rus (Duma e Shtetit) ka miratuar një projektligj për të denoncuar dhe zyrtarisht tërhequr Rusinë nga kjo marrëveshje.
Në deklaratën për shtyp të Dumas thuhet se vendimi u mor gjatë një seance plenare, si dhe se ky hap është bërë “në interes të Federatës Ruse dhe qytetarëve të saj”.
Kryetari i Dumës, Vyacheslav Volodin, deklaroi: “Ne po denoncojmë një marrëveshje që duhej të ishte ndërprerë shumë kohë më parë. Ata që përpiqen ta shfrytëzojnë Rusinë duhet ta kuptojnë se kjo nuk do të ndodhë. Ne kemi një president të fortë, një parlament përgjegjës dhe një qeveri efektive.”
Ai falënderoi gjithashtu Ministrinë e Jashtme të Rusisë për rolin udhëheqës në këtë proces.
Zëvendësministri i Jashtëm rus Sergei Ryabkov tha se mbajtja në fuqi e detyrimeve të Rusisë në kuadër të kësaj marrëveshjeje “nuk është më e pranueshme”, duke theksuar se ShBA-ja ka ndërmarrë hapa të rinj armiqësorë që “kanë ndryshuar në mënyrë thelbësore ekuilibrin strategjik” dhe “kanë krijuar kërcënime të reja për stabilitetin global”.
Ryabkov shpjegoi para deputetëve se vendimi për pezullimin e marrëveshjes vjen si rezultat i një “ndryshimi themelor të rrethanave”, duke përfshirë sanksionet e Uashingtonit ndaj Moskës dhe zgjerimin drejt lindjes të NATO-s.
“Në këtë situatë, ndërprerja e bashkëpunimit me amerikanët, qoftë edhe në aspekt formal, duket një hap krejtësisht natyral”, tha ai.
Marrëveshja, e cila u ndryshua në vitin 2010 dhe hyri në fuqi në vitin 2011, ishte pezulluar fillimisht në tetor 2016 me një dekret të presidentit Vlladimir Putin, që citonte “veprime armiqësore të ShBA-së ndaj Federatës Ruse” dhe “kërcënime për stabilitetin strategjik”.