Ministria Palestineze e Fondacioneve dhe Çështjeve Fetare të hënën dënoi djegien e pjesëve të një xhamie në qytetin Nablus të Bregut Perëndimor nga kolonët izraelitë të paligjshëm, duke e cilësuar si një krim që pasqyron “barbarinë e makinerisë izraelite të nxitjes raciste.”
“Këto banda sulmojnë vendet e shenjta islame dhe pronat e qytetarëve çdo ditë, me një rritje sistematike të frekuencës dhe natyrës së sulmeve,” tha ministria në një deklaratë.
Ministria shtoi se vitin e kaluar 45 xhami janë sulmuar nga kolonët e paligjshëm, nën mbrojtjen e forcave izraelite.
Sipas dëshmitarëve, kolonët e paligjshëm bastisën qytetin Tal, në perëndim të Nablusit, të hënën në mëngjes dhe vendosën zjarr në pjesë të Xhamisë Abu Bakr Al-Siddiq.
Hyrja dhe fasada e xhamisë u dëmtuan nga tymi, ndërsa kolonët shkruan slogane raciste në muret e jashtme, përfshirë emrin e grupit “Price Tag”.
“Price Tag” është një grup i djathtë i formuar në korrik 2008, me qëllim marrjen e tokave të pushtuara, terrorizimin e palestinezëve dhe parandalimin e rezistencës së tyre ndaj okupimit izraelit që zgjat dekada.
Djegia e pjesëve të Xhamisë Abu Bakr al-Siddiq “tregon qartë barbarinë që makina izraelite e nxitjes raciste ka arritur ndaj vendeve të shenjta islame dhe kristiane në Palestinë,” tha ministria, duke e cilësuar “një sulm të hapur ndaj myslimanëve dhe ndjenjave të tyre.”
“Sulmet e përsëritura ndaj vendeve të shenjta, përfshirë zjarrvëniet, mbylljet dhe parandalimin e ezanit, nuk janë gjë tjetër veçse dëshmi e barbarisë së egër nga e cila vepron okupimi,” shtoi ministria.
“Ky krim ka tejkaluar të gjitha ligjet fetare dhe rregulloret ndërkombëtare që garantojnë lirinë e adhurimit dhe krijimin e vendeve të adhurimit,” përfundoi deklarata.
Rreth 770.000 kolonë izraelitë të paligjshëm jetojnë në qindra vendbanime në Bregun Perëndimor të okupuar, përfshirë 250.000 në Jeruzalemin Lindor, duke kryer sulme ditore ndaj qytetarëve palestinezë me qëllim dëbimin e detyruar.
Që nga fillimi i luftës genocidale në Rripin e Gazës në tetor 2023, ushtria izraelite dhe kolonët e paligjshëm kanë intensifikuar sulmet në Bregun Perëndimor, përfshirë Jeruzalemin Lindor.
Palestinezët e shohin përshkallëzimin, përfshirë vrasjet, arrestimet, zhvendosjet dhe zgjerimin e vendbanimeve, si një hap drejt aneksimit formal të territoreve të okupuar.
Që nga tetori 2023, ushtria izraelite dhe kolonët e paligjshëm kanë vrarë të paktën 1.117 palestinezë në Bregun Perëndimor, përfshirë Jeruzalemin Lindor, kanë plagosur rreth 11.500 dhe kanë arrestuar rreth 22.000.
Në një vendim historik në korrik 2024, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë e shpalli okupimin izraelit të territoreve palestineze si të paligjshëm dhe kërkoi evakuimin e të gjitha vendbanimeve në Bregun Perëndimor dhe Jeruzalemin Lindor.

















