Presidentja e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska-Davkova, në margjinat e Takimit të liderëve të Procesit të Bërdo-Brionit në Ohër, është takuar me kryesuesen e Presidencës së Bosnjës e Hercegovinës, Zheljka Cvijanoviq, dhe anëtarët Denis Beqiroviq dhe Darijana Filipoviq.
Sipas një njfotimi të Presidencës së Maqedonisë së Veriut, Siljanovska-Davkova ka përgëzuar anëtarët e Presidencës për suksesin në zgjedhje, duke e cilësuar atë si shprehje të besimit të qytetarëve. Ajo ka shprehur kënaqësi të veçantë për zgjedhjen e dy grave në përbërjen e Presidencës, duke e vlerësuar këtë si dëshmi të forcimit të lidershipit politik të grave dhe një hap të rëndësishëm demokratik.
Sipas saj, një Bosnjë e Hercegovinë e qëndrueshme, me perspektivë të parashikueshme dhe të sigurt evropiane, është parakusht i rëndësishëm për një Ballkan Perëndimor paqësor dhe të begatë.
Bashkëbiseduesit janë angazhuar për zgjerimin dhe intensifikimin e bashkëpunimit ekonomik, në përputhje me atë politik, duke theksuar rëndësinë e lidhjeve dhe rrjetit të transportit. Në veçanti, ata kanë nënvizuar nevojën për rivendosjen e linjës ajrore Shkup-Sarajevë, si dhe për përmirësimin e infrastrukturës rrugore dhe hekurudhore.
Liderët kanë theksuar gjithashtu rëndësinë e arsimit, shkencës dhe kulturës në ndërtimin e urave të qëndrueshme mes dy shteteve dhe shoqërive.
Siljanovska-Davkova ka theksuar se integrimi evropian është një synim i përbashkët strategjik, realizimi i të cilit do të nënkuptojë përfundimin e konflikteve dhe vendosjen e paqes së qëndrueshme në Ballkan.















