Kryetari i Parlamentit të Türkiyes, Numan Kurtulmuş, u takua të premten në Kanberrë me homologet e tij australiane dhe meksikane për të diskutuar bashkëpunimin dypalësh, tregtinë dhe partneritetet ndërkombëtare, në kuadër të Takimit të 12-të të Kryetarëve të Parlamenteve të MIKTA-s.
Gjatë bisedimeve me kryetaren e Senatit australian, Sue Lines, Kurtulmuş vuri në pah miqësinë e kahershme mes Türkiyes dhe Australisë.
Ai tha se shtetasit turq që janë integruar me sukses në shoqërinë australiane i kanë forcuar më tej lidhjet mes dy vendeve.
Kurtulmuş e cilësoi udhëheqjen e përbashkët të Türkiyes dhe Australisë në COP31 si një shembull të suksesshëm të bashkëpunimit dypalësh. Ai e përmendi përfshirjen e çështjeve të Paqësorit në agjendën e samitit si një nga rezultatet e tij të rëndësishme.
Kryeparlamentari turk theksoi gjithashtu mundësitë për bashkëpunim të mëtejshëm dhe shprehu gatishmërinë për të punuar drejt arritjes së objektivave të përcaktuara për rritjen e tregtisë dypalëshe.
Në takim morën pjesë edhe nënkryetari i grupit parlamentar të Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim (AK), Abdulhamit Gül, dhe ambasadori i Türkiyes në Kanberrë, Ufuk Gezer.
Në një takim të veçantë me nënkryetaren e Senatit meksikan, Verónica Camino Farjat, të dyja palët theksuan bashkëpunimin e ngushtë në kuadër të G20-s dhe MIKTA-s.
Ato shprehën gjithashtu kënaqësinë për nivelin e lartë të marrëdhënieve dypalëshe mes Türkiyes dhe Meksikës.















