Subjektet politike pjesëmarrëse në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit 2025 në Kosovë, nisin sot zyrtarisht fushatën elektorale.
Edhe pse 17 dhjetori është caktuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), si datë zyrtare e fillimit të fushatës, partitë e mëdha politike shqiptare tashmë kanë mbajtur tubime hapëse dhe kanë prezantuar listat e tyre të deputetëve në qytete të mëdha të Kosovës.
Zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit, të caktuara në një periudhë kur mërgimtarët tradicionalisht ndodhen me pushime në Kosovë, kanë rritur angazhimin e partive për ta siguruar votën e tyre.
Përballja me inflacionin, rritja e pagave, rritja e pensioneve, vendosja e çmimeve tavan për produktet bazë të konsumit ditor, kanë qenë disa nga premtimet e dhëna në prag të nisjes zyrtare të fushatës nga partitë politike.
KQZ-ja tashmë ka certifikuar listën votuese brenda dhe jashtë Kosovës dhe sipas të dhënave nga kjo listë, numri i shtetasve të Kosovës me të drejtë vote në këtë proces zgjedhor është 2.076.290 votues.
"Sipas të dhënave nga Lista Votuese, numri i qytetarëve me të drejtë vote në vendvotime, në Republikën e Kosovës është 1.999.205 votues ndërkaq numri i qytetarëve që janë regjistruar për të votuar jashtë Kosovës është 77.085 votues", thanë nga ky institucion ditë më parë.
Procesi zgjedhor brenda vendit do të zhvillohet në 948 Qendra të Votimit, me gjithsej 2.614 vendvotime, prej të cilave 910 qendra me 2.557 vendvotime për votimin e rregullt dhe 38 qendra me 57 vendvotime për të mundësuar votimin me kusht.
Në garë për të zënë një ulëse në Kuvendin e Kosovës janë certifikuar nga KQZ-ja gjithsej 1.146 kandidatë për deputetë nga 23 subjektet politike të cilat garojnë në këto zgjedhje.
Kosova do të mbajë zgjedhje të parakohshme këtë muaj për shkak se partia e parë, Lëvizja Vetëvendosje, me dy përpjekje nuk arriti të ketë mbështetjen e nevojshme për një mandat të ri qeverisës.
Lëvizja Vetëvendosje e udhëhequr nga kryeministri aktual në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, i fitoi zgjedhjet e 9 shkurtit 2025, por 48 ulëset në Kuvend nuk ishin të mjaftueshme për të qeverisur e vetme dhe ajo nuk gjeti një partner për të formuar qoftë edhe një qeveri me votat e 61 deputetëve në Kuvend, sa duhen minimalisht.
Zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit do të jenë të tretat që do të mbahen brenda vitit 2025 në Kosovë, pas atyre nacionale të 9 shkurtit dhe atyre lokale të 12 tetorit.
KQZ-ja ka akredituar deri tani edhe grupin e parë të vëzhguesve të zgjedhjeve, që janë 283 vëzhgues.
















