Grupi industrial i Türkiyes, OYAK, dhe Ministria e Peshkimit dhe e Ekonomisë Blu e Somalisë nënshkruan të mërkurën një marrëveshje strategjike bashkëpunimi dhe shërbimesh për bashkëpunim në sektorin e peshkimit.
Ceremonia e nënshkrimit, e mbajtur në selinë e OYAK-ut në Ankara, u ndoq nga ministri turk i Mbrojtjes Kombëtare, Yasar Guler, ministri somalez i Porteve dhe Transportit Detar, Abdulkadir Mohamed Nur, ministri somalez i Peshkimit dhe Ekonomisë Blu, Ahmed Hassan Aden, shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Türkiyes, gjenerali Selcuk Bayraktaroglu, kryetari i OYAK-ut, Zekai Aksakalli, si dhe drejtori ekzekutiv i OYAK-ut, Murat Yalcintas.
Marrëveshja synon të sigurojë që aktivitetet e peshkimit në Somali të zhvillohen në një kuadër të centralizuar, të qëndrueshëm dhe plotësisht të regjistruar.
Në kuadër të marrëveshjes, kompania SOMTURK, e themeluar për këtë qëllim, do të jetë përgjegjëse për menaxhimin e të gjitha proceseve të licencimit që lidhen me aktivitetet e peshkimit në zonën ekskluzive ekonomike të Somalisë. Lejet e peshkimit në ujërat territoriale somaleze do të lëshohen ekskluzivisht nga SOMTURK.
Marrëveshja do ta mundësojë shfrytëzimin e qëndrueshëm të burimeve të pasura detare të Somalisë, duke i dhënë njëkohësisht sektorit turk të peshkimit akses në ujërat somaleze, të cilat konsiderohen ndër rezervat më të pasura të peshkut në botë.
Përveç forcimit të bashkëpunimit ekonomik, tregtar dhe teknik mes dy vendeve, marrëveshja pritet të krijojë edhe një model të ardhurash që mbështet objektivat e kthimit të qëndrueshëm të OYAK-ut, i cili funksionon si një fond pensioni plotësues.
Gjithashtu, ajo synon ta rrisë punësimin përmes zhvillimit të përpunimit të peshkut dhe aktiviteteve mbështetëse, ta forcojë ekonominë lokale dhe të sigurojë që vlera e shtuar e krijuar të reflektohet në mirëqenien e popullit somalez.
Në një deklaratë në X, ministri Nur e cilësoi marrëveshjen si një “pikë kthese që pasqyron partneritetin e fortë dhe besimin e ndërsjellë mes dy palëve, si dhe nënvizon përkushtimin tonë të përbashkët për zhvillim të qëndrueshëm dhe bashkëpunim ekonomik”.
Ai tha se marrëveshja do ta çlirojë potencialin e burimeve detare, do të nxisë ekonominë blu, do të krijojë vende pune për mijëra të rinj dhe do të vendosë themelet për rritje afatgjatë dhe ulje të varfërisë.
Somalia gëzon marrëdhënie të ngushta ekonomike, diplomatike dhe ushtarake me Türkiyen që nga viti 2011, kur presidenti i atëhershëm (kryeministër) Recep Tayyip Erdoğan vizitoi Somalinë, udhëheqësi i parë joafrikan që e bëri këtë pas më shumë se 20 vitesh.
Türkiye ka lidhje të forta historike me Somalinë, të bazuara në parimin e marrëdhënieve “fitim-fitim”, përfshirë më shumë se 150 projekte ndihme zhvillimore të realizuara nga Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA) që nga viti 2011.
Türkiye gjithashtu ka ambasadën e saj më të madhe në Afrikë në Mogadishu dhe ka ndërtuar atje bazën e saj më të madhe ushtarake jashtë vendit për trajnim të Ushtrisë Kombëtare Somaleze.



















