| Albanian
POLITIKË
3 minuta leximi
Fidan: Asnjë legjitimitet politik në Greqi s’mjafton për zgjidhjen e problemeve me Türkiyen
Shefi i diplomacisë turke kërkoi dialog dhe përmbajtje në marrëdhënie, si dhe kritikoi përdorimin e përsëritur të retorikës anti-Türkiye nga Athina për politikën e brendshme.
Fidan: Asnjë legjitimitet politik në Greqi s’mjafton për zgjidhjen e problemeve me Türkiyen
Fidan: Asnjë legjitimitet politik në Greqi s’mjafton për zgjidhjen e problemeve me Türkiyen / AA
19 Tetor 2025

Ministri turk i Punëve të Jashtme, Hakan Fidan, ka deklaruar se “asnjë legjitimitet politik në Greqi nuk është mjaftueshëm i fuqishëm për t'i zgjidhur problemet e saj me Türkiyen”.

Shefi i diplomacisë turke kërkoi dialog dhe përmbajtje në marrëdhënie, si dhe kritikoi përdorimin e përsëritur të retorikës anti-Türkiye nga Athina për politikën e brendshme.

Fidan tha se politika greke prej kohësh është mbështetur në portretizimin e Türkiyes si një kundërshtare për t'i menaxhuar krizat e brendshme.

“Politika greke ushqehet me narrativat anti-Türkiye. Sa herë që ka një skandal korrupsioni ose trazira të brendshme, ata përmendin Türkiyen. Kjo duhet të ndalet”, tha ai në një program televiziv.

“Dua t’u kujtoj fqinjëve tanë grekë... turqit dhe grekët janë popuj të lashtë të këtij rajoni. Duhet të gjejmë një rrugëdalje nga ky bllokim së bashku. E ardhmja na pret. Nëse vazhdoni të prodhoni një gjuhë kërcënimesh, Türkiye mund të përgjigjet dhjetëfish. Nuk ka nevojë për këtë. Le të mos e bazojmë politikën në armiqësi”, shtoi ai.

Fidan tha se qeveria turke nuk e ndërton kurrë politikën e saj të brendshme mbi “qëndrime anti-greke” dhe i kërkoi Athinës të tregojë të njëjtën pjekuri.

“Kur vini me gjuhën e paqes, Türkiye përgjigjet me paqe. Por,  nëse përdoret një ton tjetër, ne kemi aftësinë të përgjigjemi në përputhje me rrethanat. Megjithatë, ne kurrë nuk fillojmë një retorikë të tillë. Gjuha jonë e parë është paqja”, tha ai.

Politika e sigurisë së BE-së

Lidhur me politikat e sigurisë së Bashkimit Evropian (BE), Fidan kritikoi përpjekjen e Greqisë për të përjashtuar Türkiyen nga mekanizmi SAFE (Korniza e Veprimit të Sigurisë për Evropën), duke e përshkruar atë si një shembull se si “disa anëtarë të BE-së rrëmbejnë sistemin e sigurisë së Evropës”.

Ai theksoi se “këto vende nuk po veprojnë për sigurinë e Evropës", duke shtuar se Greqia ishte larguar nga struktura ushtarake e NATO-s në vitin 1974 dhe është ri-bashkuar në vitin 1980, me pëlqimin e Türkiyes.

"Ankaraja mund të kishte kundërshtuar, por zgjodhi të mos e bënte. Ne presim të njëjtin nivel pjekurie nga Greqia sot", tha ai.

Fidan konfirmoi se do të marrë pjesë në takimin e Këshillit të Punëve të Jashtme të BE-së në Luksemburg, ku është planifikuar një takim me homologun e tij grek, George Gerapetritis.

"Homologët tanë grekë nuk janë plotësisht të kënaqur me këtë situatë, por dialogu është e vetmja rrugë përpara", tha ai.

Më tej, ministri turk gjithashtu paralajmëroi kundër bashkëpunimit në rritje të Administratës së Qipros Greke me Izraelin, duke theksuar se kjo mbart "rrezikun e provokimit të paqëndrueshmërisë" në Mesdheun Lindor.

“E kemi parë Qipron të shërbejë si bazë logjistike gjatë luftës në Gaza. Tani, ata po përpiqen ta riparojnë imazhin e tyre duke organizuar fluturime me ndihmë humanitare. Shpresojmë që kjo përpjekje të shërbejë si shpagim”, tha ai.

Türkiye preferon zgjidhjen paqësore

Fidan theksoi se preferenca e parë e Türkiyes është një zgjidhje paqësore e mosmarrëveshjeve.

“Le të mos humbasim më shumë kohë. Një paqe e qëndrueshme midis Türkiyes dhe Greqisë në Egje është e mundur, le ta bëjmë të mundur. Në Mesdhe është e mundur, le ta bëjmë të mundur. Dhe në Qipro bashkëjetesa paqësore midis qipriotëve turq dhe qipriotëve grekë si partnerë të barabartë është e mundur, le ta bëjmë të mundur”, tha ai.