Ushtria izraelite dhe Komanda Qendrore e ShBA-së (CENTCOM) kanë rënë dakord të hartojnë plane të përbashkëta për një përshkallëzim të mundshëm kundër Iranit, raportoi të shtunën në mbrëmje media izraelite.
Televizioni izraelit Kanali 13 raportoi se ushtria izraelite ka konfirmuar ekzistencën e planeve të përbashkëta me CENTCOM-in dhe ka paralajmëruar se afati për luftë “po afrohet”.
Megjithatë, sipas televizionit, një zyrtar i lartë izraelit, i cili ka folur në kushte anonimiteti, ka thënë se gjatë vizitës së komandantit të CENTCOM-it, Brad Cooper, në Tel Aviv nuk është diskutuar ndonjë vendim për sulmin ndaj Iranit.
Lajmi thekson se vlerësimet izraelite të sigurisë tregojnë se një luftë e re me Iranin nuk është më e afërt sesa në ditët e fundit.
Niveli i gatishmërisë ushtarake të Izraelit mbetet i lartë, por nuk ka arritur nivelin maksimal, shtoi televizioni.
Sipas Kanalit 13, vlerësimet e ushtrisë izraelite sugjerojnë se “ka ardhur koha që presidenti amerikan Donald Trump të vendosë për ndërmarrjen e veprimeve në Iran”.
Raportimi vjen pas muajsh tensionesh, që kur ShBA-ja dhe Izraeli nisën sulmet ushtarake kundër Iranit më 28 shkurt.
Teherani u kundërpërgjigj duke e sulmuar Izraelin dhe ato që i cilësoi si objekte ushtarake amerikane në vendet arabe.
Uashingtoni dhe Teherani nënshkruan një memorandum mirëkuptimi më 18 qershor dhe nisën negociatat, por bisedimet shënuan pak përparim për shkak të mosmarrëveshjeve lidhur me lundrimin dhe sigurinë në Ngushticën e Hormuzit.
Përplasjet rifilluan në korrik, pavarësisht përpjekjeve të vazhdueshme diplomatike për t’i dhënë fund konfliktit.
- Takimi trepalësh përqendrohet te gatishmëria ushtarake
Të mërkurën, Cooper u takua në Tel Aviv me shefin e Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë izraelite, Eyal Zamir, dhe kreun e Mossadit, Roman Gofman, në një kohë kur po bëhen përgatitje për mundësinë e rifillimit të sulmeve ndaj Iranit.
Në një deklaratë, ushtria izraelite tha se Zamir dhe Cooper kryen “një vlerësim të përbashkët dhe gjithëpërfshirës të situatës dhe i diskutuan zhvillimet rajonale dhe sfidat e përbashkëta të sigurisë”.
Dy komandantët diskutuan gjithashtu “rëndësinë e thellimit të bashkëpunimit strategjik dhe operacional mes dy ushtrive, forcimin e koordinimit dhe rritjen e gatishmërisë së përbashkët për t’u përballur me skenarë të ndryshëm”, thuhet në deklaratë.
Ushtria izraelite nuk specifikoi se cilët skenarë u diskutuan apo nëse bisedimet kishin të bënin drejtpërdrejt me Iranin.
Megjithatë, gazeta izraelite Yedioth Ahronoth raportoi të mërkurën se takimi i Cooperit me Zamirin u përqendrua te gatishmëria ushtarake për një rifillim të mundshëm të luftës kundër Iranit.
Takimi pasoi raportimet për shtimin e përgatitjeve ushtarake izraelite.
Më 11 nëntor, transmetuesi publik izraelit KAN raportoi se kabineti i sigurisë i vendit e kishte udhëzuar ushtrinë ta rriste gatishmërinë për një sulm të mundshëm ndaj Iranit.
- Bisedimet e inteligjencës në Uashington
Takimi trepalësh u zhvillua disa ditë pasi Gofman vizitoi ShBA-në për bisedime me zyrtarë të lartë të administratës Trump lidhur me Iranin.
Mediat izraelite raportuan se Gofman u takua me drejtorin e CIA-s, John Ratcliffe, për t'i diskutuar vlerësimet e inteligjencës izraelite dhe mundësinë e rifillimit të operacioneve ushtarake kundër Iranit.
Ndërkohë, drejtuesit e “bllokut të ndryshimit” në Izrael, të udhëhequr nga Gadi Eisenkot, akuzuan kryeministrin në detyrë Benjamin Netanyahu se po nxit një tjetër luftë me Iranin.
Eisenkot, të cilit i është besuar formimi i qeverisë së ardhshme të Izraelit, dhe aleatët e tij pretenduan se Netanyahu po përpiqet të shpallë gjendje të jashtëzakonshme.
Ata pretenduan se një veprim i tillë mund të detyronte krijimin e një qeverie të unitetit kombëtar, ku do të përfshihej edhe Netanyahu, duke i mundësuar atij të qëndronte në pushtet.
Netanyahu po përballet me një proces gjyqësor për akuza korrupsioni, të cilat mund të çojnë në burgim nëse shpallet fajtor.
Gjykata Ndërkombëtare Penale (GjPN) ka kërkuar gjithashtu arrestimin e Netanyahut që nga viti 2024, për krime të dyshuara lufte në Rripin e Gazës gjatë ofensivës ushtarake izraelite që nisi në tetor të vitit 2023.















