Drejtuesi i ri i Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) në Shqipërië, u zgjodh Klodian Braho. Në mbledhjen e Këshillit të Lartë të Prokurorisë (KLP) për zgjedhjen e kreut të ri të SPAK-ut, ai mori shtatë vota. Braho u zgjodh mes katër kandidatëve dhe do të ketë një mandat trevjeçar, duke zëvendësuar në këtë pozicion Altin Dumanin. I dyti me tri vota u rendit Adnan Xholi, Elvin Gokaj mori një votë, ndërsa Doloreza Musabelliu nuk mori asnjë votë.
Të katër kandidatët, Adnan Xholi, Doloreza Musabelliu, Elvin Gjokaj dhe Klodian Braho, paraqiten përpara anëtarëve të KLP-së platformat dhe vizionin e tyre për drejtimin e Prokurorisë së Posaçme.
Mbledhja u organizua në praninë e anëtarëve të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, përfaqësuesve nga Prokurori i Përgjithshëm, Ministria e Drejtësisë, Projekti Eu4Justice dhe Programi OPDAT si dhe përfaqësues të misioneve diplomatike, mes tyre e ngarkuara me punë e Ambasadës së ShBA-së, Nancy Van Horn dhe ambasadori i BE-së, Silvio Gonzato.
Klodian Braho u lind në Skrapar më 21 korrik 1982. Në vitet 2000-2004 kreu studimet në Fakultetin e Drejtësisë dhe në 2005-2008 studioi në Shkollën e Magjistraturës. U emërua më 14 nëntor 2007.
Deri më tani ai ka ushtruar disa detyra si prokuror në rrethin e Beratit, Vlorës dhe Prokurorinë për Krime të Rënda në Tiranë.




















