Shtetet e Bashkuara dhe Irani do të zhvillojnë një raund të ri negociatash bërthamore në Gjenevë të Zvicrës, këtë të enjte, konfirmoi të dielën ministri i Jashtëm i Omanit.
“I lumtur të konfirmoj se negociatat SHBA–Iran tani janë caktuar për këtë të enjte në Gjenevë, me një shtysë pozitive për të bërë një hap më shumë drejt finalizimit të marrëveshjes,” shkroi Badr Albusaidi në rrjetin social X.
Të dy palët rifilluan diplomacinë më herët këtë muaj në kryeqytetin e Omanit, Muskat, dhe më pas zhvilluan një raund të dytë në Gjenevë.
Omani ka luajtur rol ndërmjetësues në kontaktet indirekte mes Uashingtonit dhe Teheranit muajt e fundit.
Faqja amerikane e lajmeve Axios, duke cituar një zyrtar të lartë amerikan, raportoi herët të dielën se Uashingtoni është gati të mbajë një tjetër raund negociatash me Teheranin në Gjenevë vetëm nëse Irani paraqet një propozim të detajuar bërthamor brenda dy ditëve të ardhshme.
Zyrtari tha se një paraqitje konkrete nga Irani mund të hapë rrugën për “negociata të detajuara” drejt një marrëveshjeje bërthamore, ndërsa në tryezë është edhe mundësia e një marrëveshjeje të përkohshme para arritjes së një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse.
Një zyrtar i lartë amerikan konfirmoi për të njëjtin medium takimin e planifikuar në Gjenevë, por shtoi se administrata Trump ende po pret propozimin e Iranit. Ai beson se administrata Trump pret ta marrë propozimin deri të martën.
Ministri i Jashtëm iranian Abbas Araghchi i tha CBS se propozimi ende po finalizohet, ndërsa të dyja palët po punojnë mbi elemente që do të “akomodojnë shqetësimet dhe besimin e të dyja palëve.”
Ai tha se udhëheqja iraniane ende nuk e ka miratuar, por është i bindur se palët do të bëjnë përparim kur të takohen.
Zyrtarë të lartë amerikanë paralajmëruan se përpjekja aktuale diplomatike mund të përfaqësojë dritaren e fundit para se Uashingtoni të autorizojë një operacion të gjerë të përbashkët ushtarak me Izraelin, i cili potencialisht mund të synojë drejtpërdrejt Udhëheqësin Suprem Ali Khamenei, sipas Axios.
Trump të enjten vendosi një afat prej 10–15 ditësh që negociatat të japin rezultate para se opsionet ushtarake të hyjnë në lojë, duke përsëritur kërcënimet të premten se po shqyrtonte edhe një goditje më të kufizuar për ta shtyrë Iranin drejt një marrëveshjeje “serioze”.













