Papa Leoni ka shprehur shqetësimin e tij për konfliktin e shkaktuar nga sulmet e ShBA-së dhe Izraelit ndaj Iranit, duke paralajmëruar se paqja nuk duhet të arrihet përmes kërcënimeve dhe armëve.
“Stabiliteti dhe paqja nuk ndërtohen me kërcënime të ndërsjella, as me armë që mbjellin shkatërrim, dhimbje dhe vdekje, por vetëm përmes një dialogu të arsyeshëm, autentik dhe të përgjegjshëm”, tha Papa Leoni.
Siç raporton Vatican News, Papa Leoni shprehu “shqetësimin e thellë” për zhvillimet e fundit dhe paralajmëroi për një “tragjedi me përmasa të mëdha” nëse dhuna del jashtë kontrollit.
“U drejtoj palëve të përfshira një apel të sinqertë për të marrë përgjegjësinë morale për të ndalur spiralen e dhunës përpara se ajo të kthehet në një humnerë të pariparueshme!” tha Ati i Shenjtë.
ShBA-ja dhe Izraeli ndërmorën një sulm të përbashkët ndaj Iranit të shtunën, ndërsa Teherani reagoi me sulme hakmarrëse me raketa dhe dronë.
Sot, Irani konfirmoi vdekjen e Khameneit dhe disa zyrtarëve të lartë në këto sulme.





















