Pas të shtënave masive vdekjeprurëse në Sidnej, kryeministri australian Anthony Albanese tha të hënën se do të diskutojë “ligje më të ashpra për armët” në mbledhjen e Kabinetit kombëtar këtë pasdite.
Të paktën 16 persona u vranë, përfshirë 15 viktima dhe njërin nga sulmuesit, ndërsa 42 të tjerë mbetën të shtruar në spital pas incidentit të së shtënave në Bondi Beach të dielën.
Më herët, policia australiane tha se dy të dyshuarit për të shtënat ishin baba e bir dhe se hetuesit nuk po kërkojnë ndonjë të dyshuar tjetër.
Babai u vra në vendngjarje, ndërsa i biri mbetet në gjendje kritike, por të qëndrueshme, në spital.
Qeveria australiane “është e përgatitur të ndërmarrë çdo veprim të nevojshëm. Kjo përfshin edhe nevojën për ligje më të ashpra për armët,” tha Albanese në një konferencë për shtyp.
Ai shtoi se agjenda për ligje më të rrepta për armët do të përfshijë kufizime në numrin e armëve që mund të përdoren ose licencohen nga individët, si dhe një rishikim periodik të licencave.
“Licencat nuk duhet të jenë të përhershme dhe, sigurisht, duhet të ketë kontrolle për të garantuar që mekanizmat e kontrollit dhe balancës janë në fuqi,” shtoi ai.
Edhe kryeministri i shtetit të Uellsit të Ri Jugor, Chris Minns, tha se ligjet për armët duhet të ndryshojnë për të siguruar që sulmi i mbrëmshëm të mos ndodhë më.
“Kjo kërkon legjislacion. Do të thotë paraqitjen e një projektligji në Parlament, duke e bërë më të vështirë marrjen e këtyre armëve të tmerrshme që nuk kanë asnjë përdorim praktik në komunitetin tonë,” tha ai në një konferencë për shtyp, sipas Korporatës Australiane të Transmetimeve (ABC).
Sulmi u dënua gjerësisht nga komuniteti ndërkombëtar.






















