| Albanian
POLITIKË
3 minuta leximi
Franca dhe Italia: Është “e parakohshme” të nënshkruhet marrëveshja tregtare BE–Mercosur
Parisi dhe Roma thanë se nuk janë gati të mbështesin një marrëveshje tregtare mes BE-së dhe bllokut tregtar të Amerikës së Jugut, Mercosur, që supozohet të ndihmojë eksportet e goditura nga tarifat amerikane dhe do ta ulë varësinë nga Kina.
Franca dhe Italia: Është “e parakohshme” të nënshkruhet marrëveshja tregtare BE–Mercosur
Franca dhe Italia: Është “e parakohshme” të nënshkruhet marrëveshja tregtare BE–Mercosur / Reuters
17 Dhjetor 2025

Italia dhe Franca thanë se nuk janë gati të mbështesin një marrëveshje tregtare mes Bashkimit Evropian dhe bllokut tregtar të Amerikës së Jugut Mercosur, duke goditur shpresat për finalizimin e marrëveshjes në ditët në vijim.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, pritej të udhëtonte drejt Brazilit në fund të kësaj jave për të nënshkruar marrëveshjen e arritur një vit më parë pas një çerek shekulli negociatash me bllokun që përfshin Argjentinën, Bolivinë, Brazilin, Paraguain dhe Uruguain.

Gjermania, Spanja dhe vendet nordike thonë se marrëveshja do të ndihmojë eksportet e goditura nga tarifat amerikane dhe do të ulë varësinë nga Kina, duke siguruar akses në minerale.

Kryeministrja italiane Giorgia Meloni u rreshtua me presidentin francez Emmanuel Macron duke bërë thirrje për shtyrjen e miratimit të marrëveshjes, të cilën e kundërshtojnë gjithashtu Polonia dhe Hungaria.

“Qeveria italiane ka qenë gjithmonë e qartë duke thënë se marrëveshja duhet të jetë e dobishme për të gjithë sektorët dhe se, për rrjedhojë, është e nevojshme të adresohen, në veçanti, shqetësimet e fermerëve tanë”, tha Meloni para dhomës së ulët të parlamentit italian të mërkurën.

Ajo u tha deputetëve se do të ishte “e parakohshme” të nënshkruhej marrëveshja përpara se të finalizoheshin masa të tjera për mbrojtjen e fermerëve, duke shtuar se marrëveshja kishte nevojë për garanci të mjaftueshme reciprociteti për sektorin bujqësor.

Kërkesa për masa mbrojtëse më të forta

Edhe Franca kërkon masa mbrojtëse më të forta, përfshirë “klauzola pasqyrë” që kërkojnë që produktet e Mercosurit të përmbushin rregullat e BE-së për përdorimin e pesticideve dhe klorit, si dhe kontrolle më të rrepta të sigurisë ushqimore.

“Askujt nuk do t’i dukej e kuptueshme nëse perime, mish viçi dhe pulë të trajtuara kimikisht me produkte të ndaluara në Francë do të mbërrinin në territorin tonë”, tha zëdhënësja e qeverisë franceze, Maud Bregeon, në një konferencë për shtyp. Mbështetësit e marrëveshjes thonë se ajo nuk do t’i anashkalojë rregulloret ekzistuese të BE-së për standardet ushqimore.

Parlamenti Evropian, Komisioni dhe Këshilli, grupimi i qeverive të BE-së, pritet të negociojnë një marrëveshje mbi masat mbrojtëse të Mercosurit më vonë gjatë së mërkurës, pasi eurodeputetët mbështetën shtrëngimin e disa kontrolleve mbi importet e disa produkteve bujqësore.

Partia Vëllezërit e Italisë e Melonit tha se këto kontrolle ende nuk janë të mjaftueshme për të garantuar që fermerët të mund të konkurrojnë në kushte të barabarta.

“Kjo nuk do të thotë se Italia synon të bllokojë ose të kundërshtojë marrëveshjen në tërësi… Jam shumë e bindur se, me fillimin e vitit të ardhshëm, të gjitha këto kushte mund të përmbushen”, tha Meloni.

Blloku Mercosur po ndjek marrëveshje edhe me vende të tjera si Japonia, India dhe Kanadaja.

BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë