Bashkimi Evropian (BE) dhe Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA) në Kosovë kanë shprehur shqetësim lidhur me moscertifikimin e Listës Serbe për zgjedhjet parlamentare të 28 dhjetorit.
Në reagimin e saj, BE-ja thekson se vendimi i KQZ-së reflekton politizim të procesit zgjedhor nga Lëvizja Vetëvendosje dhe partitë e tjera, gjë që bie ndesh me parimet e një procesi të rregullt dhe gjithëpërfshirës.
"Sjellje të tilla janë të dëmshme për një proces zgjedhor gjithëpërfshirës në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe raportin e Misionit të Vëzhgimit të Zgjedhjeve të BE-së", thuhet në reagim.
Në një reagim në rrjetet sociale, Ambasada e ShBA-së ka thënë se veprimet e tilla dëmtojnë stabilitetin e Kosovës por edhe interesat e ShBA-së, përfshirë rifillimin e Dialogut Strategjik mes dy vendeve, i cili është pezulluar që nga shtatori i këtij viti për shkak të "veprimeve që kanë rritur tensionet nga qeveria e udhëhequr nga kryeministri në detyrë Albin Kurti".
"Përpjekjet e VV-së për të bllokuar certifikimin e Listës Serbe për të marrë pjesë në zgjedhjet e Kosovës janë me vizion afatshkurtër dhe përçarëse. Të gjithë qytetarët e Kosovës duhet të jenë në gjendje të ushtrojnë të drejtat e tyre demokratike. Veprime të tilla dëmtojnë stabilitetin e Kosovës dhe interesat e ShBA-së, përfshirë rifillimin e dialogut tonë strategjik për të çuar përpara mundësitë për bizneset amerikane dhe të Kosovës", thuhet në reagim.
Dy anëtarët e Lëvizjes Vetëvendosje në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) gjatë mbledhjes së djeshme votuan kundër certifikimit të Listës Serbe për zgjedhjet e parakohshme. Shtatë anëtarë abstenuan ndërsa dy të tjerë, anëtarja serbe dhe kryesuesi Kreshnik Radoniqi, votuan për, rrjedhimisht partia më e madhe e serbëve në Kosovë nuk mori votat e mjaftueshme për certifikim.
Lista Serbe edhe në zgjedhjet e 9 shkurtit 2025 nuk ishte certifikuar fillimisht për zgjedhje, mirëpo më pas Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) kishte urdhëruar KQZ-në që ta certifikojë atë.






















