| Albanian
POLITIKË
2 minuta leximi
Rama: Dezinformim lajmet për sulme ndaj Shqipërisë, jemi anëtare e NATO-s
Sa i përket shqiptarëve në rajonin e prekur nga sulmet, kryeministri shqiptar Edi Rama theksoi se përfaqësitë diplomatike dhe konsullatat janë në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet vendase dhe me qytetarët.
Rama: Dezinformim lajmet për sulme ndaj Shqipërisë, jemi anëtare e NATO-s
Rama: Dezinformim lajmet për sulme ndaj Shqipërisë, jemi anëtare e NATO-s / TRT Balkan AL
8 Mars 2026

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, deklaroi se situata e përshkallëzuar e sigurisë në Lindjen e Mesme po ndiqet me vëmendje nga qeveria shqiptare, ndërsa theksoi se prioritet mbetet siguria e qytetarëve shqiptarë që ndodhen në vendet e rajonit.

Duke folur në podkastin “Flasim”, Rama tha se zhvillimet e fundit kanë prekur Shqipërinë në plan politik dhe njerëzor.

“Sigurisht që si të gjithë, edhe ne jemi të prekur në sensin fatmirësisht, jo fizik, por patjetër politikisht, shpirtërisht, njerëzisht nga zhvillimet e fundit në Lindjen e Mesme dhe nga përshkallëzimi i situatës së sigurisë në një rajon, ku kemi miq të jashtëzakonshëm dhe ku me krenari jemi një nga vendet e pakta që kemi një miqësi të fortë, njëkohësisht me Izraelin dhe me vendet e Gjirit Persik, Arabinë Saudite, Emiratet e Bashkuara, Katarin, Kuvajtin, Bahrenin”, tha Rama.

Rama bëri thirrje për qetësi dhe informim nga burimet zyrtare, duke theksuar solidaritetin me vendet e prekura në rajon, ndërsa i cilësoi si spekulime dhe dezinformim lajmet për një sulm të mundshëm të Iranit ndaj Shqipërisë.

“Është prodhuar në mënyrën më kriminale dhe të papërgjegjshme edhe një seri lajmesh për gjoja mundësinë e sulmit mbi Shqipërinë. Por, ju kujtoj të gjithëve që Shqipëria është anëtare e NATO-s dhe sikundër NATO e demonstroi qartësisht në Türkiye, ku goditi menjëherë një raketë të ardhur nga Irani, gjë të cilën pastaj e nënvizoi bukur mirë edhe gjenerali amerikan i komandës së NATO-s, qartësisht, kjo shpejtësi reagimi dhe ky kapacitet reagimi vlen për të gjitha vendet anëtare të NATO-s”, tha Rama.

Sa i përket shqiptarëve në rajonin e prekur, Rama theksoi se përfaqësitë diplomatike dhe konsullatat janë në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet vendase dhe me qytetarët shqiptarë.