Në kushtet e luhatjeve të fundit në tregjet ndërkombëtare të energjisë dhe shqetësimeve për rritje të mundshme të çmimeve të karburanteve, autoritetet shqiptare po ndërmarrin masa për forcimin e kontrollit në tregun e hidrokarbureve.
Në këtë drejtim, Ministria e Financave e Shqipërisë ka vendosur të rrisë bashkëpunimin ndërinstitucional për të monitoruar më nga afër tregtimin e karburanteve dhe për të parandaluar abuzimet e mundshme me çmimet.
“Kemi marrë shkas për ngritjen e këtij grupi operacional nisur edhe nga konflikti më i fundit midis Iranit, ShBA-së dhe Izraelit, konflikt që ka ndikuar në çmimet e hidrokabureve. Çmimet do të jenë në monitorim nga këto dy institucione, në mënyrë që të mos kemi rritje abuzive të tyre në sektorin e tregtimit të hidrokrabureve me shumicë apo dhe me pakicë”, tha ministri i Financave, Petrit Malaj, teksa zhvilloi një takim me drejtorin e përgjithshëm të Tatimeve, Ilir Binaj, dhe drejtorin e përgjithshëm të Doganave, Besmir Beja, ku u dakordësua plani operacional për ngritjen e një task-force të përbashkët mes dy institucioneve.
Ai informoi se gjatë takimit u ra dakord për hapat që do të ndiqen nga këto dy institucione, duke filluar që nga vlerësimi me risk i operatorëve që operojnë në këtë sektor, por nga ana tjetër edhe duke marrë informacione nga tregu për sa i përket abuzimeve potenciale që mund të ndodhin.
Drejtori i përgjithshëm i Doganave, Besmir Beja, bëri të ditur se kontrollet do të shtrihen në gjithë territorin e vendit, bazuar në subjektet e identifikuara me risk. Sipas tij, do të ngrihen grupe të përbashkëta kontrolli me Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve për të garantuar që aktiviteti i subjekteve të zhvillohet në përputhje me ligjin, si dhe që çdo shitje të jetë e regjistruar fiskalisht dhe karburanti i tregtuar të përmbushë të gjitha detyrimet doganore dhe tatimore.
Ndërkohë, drejtori i përgjithshëm i Tatimeve, Ilir Binaj, u shpreh se institucionet kanë koordinuar planin operacional dhe kanë nisur analizën e riskut.
Ai theksoi se eksperiencat nga operacionet e mëparshme kanë ndihmuar në identifikimin e problematikave konkrete në këtë sektor, ndërsa objektivi është që operacioni të shtrihet në një periudhë gjatë kohore, me qëllim rritjen e formalizimit dhe garantimin e funksionimit të rregullt të tregut të hidrokarbureve.
























