| Albanian
SPORT
2 minuta leximi
Klubet turke shprehin indinjatë për ndërhyrjen e policisë gjeorgjiane kundër tifozëve të Beşiktaşit
Klubet turke të futbollit publikuan menjëherë deklarata në mbështetje të Beşiktaşit, pasi ndeshja e Europa League kundër një klubi izraelit u ndërpre për shkak të sulmeve të policisë ndaj tifozëve.
Klubet turke shprehin indinjatë për ndërhyrjen e policisë gjeorgjiane kundër tifozëve të Beşiktaşit
Klubet turke shprehin indinjatë për ndërhyrjen e policisë gjeorgjiane kundër tifozëve të Beşiktaşit / َAA
 

Disa klube të Superligës turke dënuan ndërhyrjen e forcave të sigurisë ndaj tifozëve të Beşiktaşit në Gjeorgji dhe kritikuan UEFA-n që skuadrave turke u mohohet e drejta për t’i zhvilluar në vendin e tyre ndeshjet si pritëse kundër ekipeve izraelite. Reagimet erdhën pas përplasjeve gjatë ndeshjes së të enjtes mes Beşiktaşit dhe Hapoel Beer-Shevës në UEFA Europa League.

Trabzonspori ishte i pari që shprehu mbështetjen për Beşiktaşin.

“Nuk e pranojmë që skuadrave turke t’u mohohet e drejta për t’i luajtur ndeshjet si pritëse në vendin e tyre dhe para tifozëve të tyre kur përballen me ekipe nga shteti pushtues i Izraelit”, tha klubi në një deklaratë.

“Standardet e dyfishta të UEFA-s për këtë çështje i konsiderojmë të papranueshme”, shtoi klubi.

Trabzonspori dënoi gjithashtu fuqishëm atë që e cilësoi si ndërhyrje joproporcionale të forcave të sigurisë ndaj tifozëve të Beşiktaşit në Gjeorgji, më herët gjatë mbrëmjes dhe gjatë ndeshjes.

“Të qëndrojmë të bashkuar dhe të veprojmë si një trup i vetëm përballë padrejtësive ndaj futbollit turk dhe tifozëve tanë është përgjegjësia jonë më themelore”, thuhet në deklaratë.

Klubi shprehu solidaritet me Beşiktaşin dhe tifozët e tij, duke u uruar shërim të shpejtë tifozëve që u plagosën gjatë incidenteve dhe u dërguan në spital.

Edhe Erzurumspori, klub i Superligës, publikoi një deklaratë në mbështetje të Beşiktaşit, duke thënë se qëndron përkrah skuadrës së Stambollit.

“Qëndrojmë gjithashtu përkrah tifozëve të Beşiktaşit, ndaj të cilëve u përdor forcë joproporcionale këtë mbrëmje, dhe u urojmë shërim të shpejtë tifozëve që u plagosën gjatë incidenteve dhe u dërguan në spital”, shkroi Erzurumspori në llogarinë e tij zyrtare.

Përplasjet mes policisë gjeorgjiane dhe tifozëve të Beşiktaşit nisën pasi efektivët ndërhynë kur një tifoz shpalosi një flamur palestinez në tribuna. Më pas, policia përdori spërkatës me piper dhe e rrethoi tifozin.

Pas incidenteve në tribuna, gjyqtarët e ndërprenë përkohësisht ndeshjen dhe u larguan nga fusha.

Fenerbahçe deklaroi se “përdorimi i forcës joproporcionale ndaj tifozëve të Beşiktaşit, të cilët shprehën mbështetjen për popullin palestinez, si çdo qytetar turk që e sheh qëndrimin përkrah të shtypurve si një përgjegjësi njerëzore, është i papranueshëm”.

Edhe Galatasaray dënoi ndërhyrjen joproporcionale, duke i bërë thirrje UEFA-s “t’u japë fund praktikave të saj që devijojnë nga parimi i barazisë dhe përfshijnë standarde të dyfishta ndaj klubeve tona!”.

Edhe klubet e tjera të Superligës, Başakşehir dhe Samsunspor, dënuan ndërhyrjen e policisë dhe shprehën mbështetjen për Beşiktaşin.

BURIMI:TRT World