BOTA
2 minuta leximi
Dua Lipa shkarkon menaxherin e saj për shkak të përfshirjes së tij në fushatë kundër Palestinës
Një burim nga industria e muzikës i tha mediave britanike se "Dua u sigurua që David Levy të mos prodhonte më muzikën e saj", duke theksuar se "artistja është një zë i fuqishëm në mbështetje të kauzës palestineze".
Dua Lipa shkarkon menaxherin e saj për shkak të përfshirjes së tij në fushatë kundër Palestinës
Dua Lipa shkarkon menaxherin e saj për shkak të përfshirjes së tij në fushatë kundër Palestinës / Reuters
9 orë më parë

Ylli botëror i muzikës pop me origjinë nga Kosova, Dua Lipa, ka shkarkuar menaxherin e saj disavjeçar David Levy, pasi ky i fundit ishte përfshirë në një fushatë kundër Palestinës.

Mediat britanike raportuan se Levy rezultoi të fshihej pas një fushate që synonte pengimin e grupit irlandez Kneecap, të performonte në Festivalin Glastonbury, vetëm për shkak të mbështetjes së tyre propalestineze.

Me këtë rast, Levy ishte nënshkruesi i parë i një letre "private dhe konfidenciale" që iu dërgua themeluesit të festivalit, Michael Eavis, ku i bëhej thirrje të anulonte pjesëmarrjen e grupit rep me orientim propalestinez Kneecap, për shkak të lidhjeve të supozuara politike.

Pasi letra u bë publike, këngëtarja vendosi të përfundojë marrëdhënien profesionale me Levy-n.

Një burim nga industria e muzikës i tha mediave britanike se "Dua u sigurua që David Levy të mos prodhonte më muzikën e saj", duke theksuar se "artistja është një zë i fuqishëm në mbështetje të kauzës palestineze dhe nuk mund të toleronte një menaxher që përdorte taktika të tilla".

Fituesja e çmimit Grammy ka qenë prej kohësh një mbështetëse e të drejtave të palestinezëve. Në maj të vitit të kaluar, ajo përdori platformën e saj në Instagram me 88 milionë ndjekës për të dënuar atë që e quajti "gjenocid izraelit në Gaza" dhe është bashkuar në protesta që denoncojnë bashkëfajësinë e Mbretërisë së Bashkuar në luftë.

Gjithashtu, në gusht të këtij viti, në festivalin e përvitshëm ku ajo merr pjesë në Prishtinë, "Sunny Hill Festival", u shfaq mesazhi në ekranin e madh "Liri për Palestinën".

Pavarësisht letrës ku nënshkrues ishte Levy, grupi Kneecap performoi në Glastonbury në korrik. Policia kreu një hetim të shkurtër pas disa ankesave, por më pas e mbylli çështjen për mungesë provash për ndonjë vepër penale. Grupi e cilësoi hetimin si "frikësim politik nga policia".

Që nga 7 tetori 2023, Izraeli ka ndërmarrë një fushatë që konsiderohet si gjenocid në Rripin e Gazës, ku deri më tani janë vrarë afro 65.300 palestinezë, shumica gra dhe fëmijë.


BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë