| Albanian
TÜRKİYE
2 minuta leximi
Ankaraja e shqetësuar për përshkallëzim në Detin e Zi pas sulmit në Chornomorsk
Ministria e Jashtme thotë se dëmtimi i një anijeje të operuar nga një kompani turke nxjerr në pah urgjencën e masave për të parandaluar përshkallëzimin në Detin e Zi.
Ankaraja e shqetësuar për përshkallëzim në Detin e Zi pas sulmit në Chornomorsk
Ankaraja e shqetësuar për përshkallëzim në Det të Zi pas sulmit në Chornomorsk / AA
12 Dhjetor 2025

Türkiye shprehu të premten shqetësim pas dëmtimit të një anijeje me flamur të huaj, të operuar nga një kompani turke, gjatë një sulmi në portin ukrainas Chornomorsk, duke theksuar se incidenti edhe një herë nënvizon paralajmërimet e mëparshme për përhapjen e luftës në Detin e Zi.

“Ky incident tregon vlefshmërinë e shqetësimeve tona të shprehura më herët lidhur me sigurinë detare dhe lirinë e lundrimit, ndërsa lufta në rajonin tonë vazhdon të shtrihet në Detin e Zi”, thuhet në deklaratën e Ministrisë së Jashtme të Türkiyes.

Ministria bëri të ditur se, sipas informacioneve fillestare, anëtarët e ekuipazhit dhe shoferët e kamionëve në bord janë evakuuar, se nuk ka shtetas turq të lënduar, dhe se Konsullata e Përgjithshme në Odesa po e ndjek nga afër situatën dhe po ofron ndihmën e nevojshme për qytetarët.

“Me këtë rast, theksojmë edhe një herë rëndësinë e përfundimit të menjëhershëm të luftës mes Rusisë dhe Ukrainës”, thuhet më tej në deklaratë.

Ministria përsëriti gjithashtu nevojën për një rregullim që të pezullojë sulmet që rrezikojnë sigurinë e lundrimit, si dhe infrastrukturën energjetike dhe portuale të palëve, me qëllim parandalimin e një përshkallëzimi të mëtejshëm në Detin e Zi.

Sipas raportimeve të mediave ukrainase, Rusia kreu të premten një sulm me raketa balistike dhe dronë ndaj rajonit të Odesës, duke shkaktuar shpërthime në disa lokacione dhe duke aktivizuar mbrojtjen ajrore.

Shpërthime u dëgjuan në qytetin portual Chornomorsk dhe në disa distrikte të Odesës, pasi u identifikuan objektiva që vinin nga Deti i Zi, raportoi shërbimi lokal i lajmeve Dumskaya, duke cituar korrespondentë në terren.

BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë