Kushtet e urisë në Rripin e Gazës janë përmirësuar përkohësisht pas reduktimit të sulmeve dhe përmirësimit të aksesit për shpërndarjet humanitare dhe komerciale të ushqimit, por situata e përgjithshme mbetet kritike, tregojnë gjetjet e reja të publikuara sot nga Klasifikimi i Fazës së Integruar të Sigurisë Ushqimore (IPC).
Midis 16 tetorit dhe 30 nëntorit 2025, rreth 1,6 milion njerëz ose 77 për qind e popullsisë së analizuar, përjetuan nivele të larta të pasigurisë akute ushqimore të klasifikuara si Faza 3 e IPC (Krizë) ose më keq, tha analiza. Kjo përfshinte mbi gjysmë milioni njerëz në Emergjencë (Faza 4 e IPC) dhe mbi 100 mijë njerëz që përballen me katastrofën (Faza 5 e IPC), klasifikimi më i rëndë.
Ndërsa zhvillimet e fundit mes armëpushimit të brishtë, përfshirë një plan të propozuar paqeje dhe flukse të përmirësuara ushqimore, kanë ndihmuar në lehtësimin e kushteve më ekstreme, IPC-ja paralajmëroi se perspektiva mbetet e rëndë.
Nga 1 dhjetori deri më 15 prill 2026, rreth 1,6 milion njerëz pritet të përballen ende me nivele krize ose më të këqija të pasigurisë ushqimore. Kjo përfshin rreth 571 mijë njerëz në kushte emergjence dhe rreth 1.900 njerëz në katastrofë, duke reflektuar reduktim të rezultateve më ekstreme, por jo kthim në stabilitet.
"Sipas skenarit më të keq, i cili do të përfshinte armiqësi të ripërtërira dhe ndalesë të flukseve humanitare dhe tregtare, i gjithë Rripi i Gazës është në rrezik të urisë deri në mesin e prillit 2026", paralajmëron IPC-ja
Situata e të ushqyerit ka treguar përmirësim krahasuar me analizat e mëparshme, por mbetet alarmante. Gati 101 mijë fëmijë të moshës 6 deri në 59 muajsh pritet të vuajnë nga kequshqyerja akute në të gjithë Gazën deri në mesin e tetorit 2026, përfshirë mbi 31 mijë raste të rënda. Gjatë së njëjtës periudhë, rreth 37 mijë gra shtatzëna dhe që ushqejnë me gji parashikohet të përjetojnë kequshqyerje akute dhe të kërkojnë trajtim.
IPC-ja tha se qasja e qëndrueshme humanitare dhe stabiliteti janë thelbësore për të parandaluar një rrëshqitje të përtërirë drejt urisë dhe humbjes së mëtejshme të jetëve.























