Dhjetë të ndaluar palestinezë nga Gaza u liruan të hënën nga ushtria izraelite pas muajsh arrestimi, bëri të ditur Zyra e Informacionit për të Burgosurit, e drejtuar nga Hamasi.
Në një deklaratë, zyra tha se të arrestuarit u liruan në pikën kufitare Kerem Shalom, në jug të Gazës, pa dhënë detaje mbi gjendjen e tyre shëndetësore.
Të liruarit u transportuan nga Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq (KNKK) drejt Spitalit të Dëshmorëve Al-Aqsa, në qytetin qendror Deir al-Balah, për ekzaminime mjekësore, thuhet në deklaratë.
Të burgosur palestinezë të liruar më herët nga ushtria izraelite kanë shfaqur shenja abuzimi, kequshqyerjeje dhe plagësh të rënda të shkaktuara nga tortura gjatë ndalimit të tyre.
Më 13 tetor, Izraeli liroi rreth 2.000 të burgosur, përfshirë 1.700 nga Gaza, në kuadër të një marrëveshjeje armëpushimi në Gaza dhe shkëmbimi të të burgosurve të nënshkruar mes Hamasit dhe Izraelit. Shumica e të liruarve atëherë mbërritën në gjendje të rëndë shëndetësore, ndërsa disa rrëfyen përvoja torturash, urie dhe poshtërimi brenda burgjeve izraelite.
Më shumë se 10.000 palestinezë, përfshirë gra dhe fëmijë, mbeten të burgosur në Izrael, ku përballen me torturë, uri dhe neglizhencë mjekësore, kushte që kanë çuar në vdekjen e shumë të ndaluarve, sipas organizatave palestineze dhe izraelite për të drejtat e njeriut.
Që nga tetori i vitit 2023, Izraeli ka vrarë pothuajse 70.700 persona, kryesisht gra e fëmijë, si dhe ka plagosur mbi 170.000 të tjerë në sulmet në Gaza.





















